Lajmet e fundit
FJALA E KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS, Z. KOLË BERISHA, NË KONFERENCËN E ORGANIZUAR NGA FEDERATA PËR PAQE UNIVERSALE
, 15.12.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, parmbrëmë në hapjen simpoziumit treditor në temën : Pajisja me vizionin dhe udhëheqjen për një botë të paqes dhe zhvillimit njerëzor, i cili po mbahet në Prishtinë nga 14 deri 17 dhjetor , mbajti një fjalë rasti.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve , miqve të paqes, Kolë Berisha tha :” Jam i nderuar me ftesën për pjesëmarrje në këtë konferencë me temë dhe me qëllime të larta fisnike, pse jo edhe me porositë që dalin prej saj. Mirë se erdhët në Prishtinë.
Mirë se erdhët në Kosovë të gjithë ju, zonja dhe zotërinj, që keni krijuar respekt në botë me idenë dhe me veprimet tuaja për paqe në botë. Për hapësirat ballkanike, të cilat me shekuj u lanë me gjak.
Keni zgjedhur një vend të duhur për ketë temë. Kosova ka vuajtur shumë gjatë pasojat e dhunës së fallangave barbare ndaj paqes dhe lirisë. Prandaj, Kosova e kupton dimensionin e vërtetë të paqes dhe të të drejtave të njeriut.
Këtu do të gjeni zëra autentikë dhe të sinqertë të përkrahjes së paqes. Të paqes për vete, por edhe të paqes për të tjerët, në fqinjësi, në rajon dhe kudo në botë.
Kam kënaqësi të theksoj se kjo përkrahje për paqen është qëndrim i deklaruar shprehimisht, zyrtarisht dhe publikisht nga ana e institucioneve të Kosovës.
Kosova është zë aktiv dhe i qartë i paqes në botë. Edhe sot, në emër të Kuvendit të Kosovës, kam ardhur jo vetëm për të shprehur këtë përkrahje, sepse kjo dihet tashmë, por kam ardhur t’jua shtrëngoj dorën dhe t’ju shpreh admirimin për angazhimin tuaj dhe për punën vetëmohuese në një ide dhe mision human të përpjekjeve për paqe universale.
Të nderuar pjesëmarrës,
E di se Federata për Paqe Universale është e re për nga mosha, por është ngritur mbi një ide të vjetër sa edhe vetë njerëzimi, është ngritur mbi një ide dhe mbi një dëshirë për të mbledhur sa më shumë forca e sa më shumë zëra në luftën kundër të keqes në botë. Fakti që, për një kohë kaq të shkurtër, keni arritur të krijoni një rrjet të gjerë në mbarë botën, është dëshmi se jeni në rrugë të drejtë, është një mision i shenjtë. Është dëshmi se bota ka nevojë për projekte të këtilla.
Më duket se, duke observuar në këtë temë, mund të themi që në botë, sot, ka më shumë mirëkuptim për paqe. Ndoshta, për shkak të çmimit tepër të lartë që ka paguar njerëzimi. Me kalimin e kohës ka më shumë dëshirë për paqe, ka më shumë gatishmëri për paqe, ka më shumë admirues të paqes. Por, ende duhet punë, shumë punë e angazhime. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët.
Parlamentet në mbarë botën kanë gjithsesi rol të veçantë dhe shumë të madh në promovimin e paqes. Këtë mund ta bëjnë duke miratuar ligje që afirmojnë dhe që garantojnë paqen, duke ratifikuar aktet ndërkombëtare që ndihmojnë paqen. Por, parlamentet e kanë një mundësi të veçantë: përfaqësojnë zërin e vërtetë të popullit, zërin e lirë të qytetarit. Sepse, përvojat historike dhe dijetarët na dëshmojnë se, sa herë që është pyetur qytetari, ai ka qenë kundër luftës.
Miq të paqes,
Angazhimi për paqe është dhe duhet të jetë i shenjtë dhe i përjetshëm. Edhe ky takim është rast për të përsëritur se paqja nuk ka alternativë. Në këtë mision nuk ka njerëz të tepërt, ose të panevojshëm. Të gjithë kanë një rol, një punë për të bërë. Nuk duhet rezonuar se kjo gjë i takon dikujt tjetër. Jo – paqja është çështje që na takon të gjithëve. Individi, familja, shkolla, media, dhe përfaqësuesit e pushtetit pa dyshim se kanë rol të dorës së parë, nëse duan të jenë përfaqësues të vërtetë të popullit dhe të qytetarëve.
Më lejoni edhe një herë të shpreh mirënjohje për organizatorët dhe për pjesëmarrësit e tjerë, duke ju uruar punë të mbarë gjatë ditëve të Konferencës “, theksoi Kolë Berisha .