Lajmet e fundit

Nga punimet e simpoziumit të Federatës për Paqe Universale

, 15.12.2006




Sot në Prishtinë ka filluar punimet simpoziumi i Federatës për Paqe Universale në temën : Pajisja me vizionin dhe udhëheqjen për një botë të paqes dhe zhvillimit njerëzor, i cili është hapur mbrëmë në Hotelin Grand.

Simpoziumin, në të cilin merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të jetës shoqërore, politike dhe intelektuale të Kosovës, pastaj përfaqësues të bashkësive fetare, të shoqërisë civile e të tjerë, e ka hapur kryetari për Evropë i Federatës për Paqe Universale, Dr. Yong Choel Song, ndërkaq takimin, në emër të presidentit Sejdiu e ka përshëndetur këshilltari i tij, Samet Dalipi.

Në vazhdim Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Federate, Dr. Tomas Walsh, ka prezantuar gjerësisht parimet themelore të Federatës për Paqe Universale, si dhe metodologjinë dhe programet e punës, që synon të realizojë. Ai, ndër të tjera, ka theksuar se paqja nis me individin dhe familjen dhe se nuk ka udhëheqje të mirë pa moral të mirë të udhëheqësit.

Përfaqësues të tjerë të federatës kanë shpjeguar se cilat janë rrënjët dhe origjina e konflikteve dhe cila rrugë çon drejt pajtimit.

Në këtë seminar është theksuar nevoja e përhershme për dialog, pajtim dhe bashkëpunim ndëretnik dhe ndërfetar. Të gjithë pjesëmarrësit, ndërkaq, janë pajtuar për një harmoni më të mirë ndërmjet popujve, racave e religjioneve, në të mirë të ardhmërisë së njerëzimit.

Seminari përfundon punimet nesër në orën 19:00, me ç’rast do të bëhet edhe emërimi i ambasadorëve të rinj të paqes.