Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Besnik Mustafaj

, 16.12.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Besnik Mustafaj, bashkë me zyrtarë të lartë të çështjeve të Kosovës dhe të Ballkanit dhe zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie. Tema themelore të këtij takimi ishin thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë dhe zhvillimet aktuale në Kosovë, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Vëmendja e bashkëbiseduesve u përqendrua sidomos në kontributin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare rreth statusit të Kosovës.

Në këtë frymë kryeparlamentari Berisha falënderoi diplomacinë e Shqipërisë për rolin shumë aktiv në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës, duke shprehur bindjen se Tirana zyrtare ka rol shumë të rëndësishëm, si gjatë ditëve të definimit të këtij statusi, por edhe në periudhën pas zgjidhjes së statusit së Kosovës. Berisha shprehu bindjen se angazhimi i Shqipërisë në këto procese do të vazhdojë edhe me tutje për avokimin rreth zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, tha më tutje Berisha, ka një rëndësi edhe për stabilitetin e rajonit.

Besnik Mustafaj theksoj se Parlamenti i Kosovës ka një rëndësi të veçantë në mbarë proceset aktuale në Kosovë, ndërsa në këtë vështrim ai po i kryen detyrat me përgjegjësi të lartë. Shumica shqiptare në parlament ka një respekt shumë të qartë për minoritetet, ajo ka një vizion modern për ndërtimin e shtetit, të ardhmes së Kosovës dhe pret me seriozitet edhe pjesë marrjen e të gjitha minoriteteve në jetën institucionale dhe politike në vend. Është me rëndësi që në të gjitha këto rrjedha Kosova të reflektojë stabilitet , aq i rëndësishëm për vendin dhe rajonin. Pas kësaj bisede unë ndihem shumë më i qetë edhe në rrjedhat e komunikimit ndërkombëtar, theksoi Mustafaj.

Kryeparlamentari Berisha priti ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Besnik Mustafaj