Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 18.12.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e saj të sotme, të kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Buxhetin e Kuvendit për vitin 2007, si dhe propozimvendimin për ridestiminin e mjeteve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kryesia ka vendosur që konform rregullativës ligjore, çështjen e redestinimit të mjeteve financiare ( kur predestinimi kalon 40 për qind të sasisë së mjeteve) ta kalojë për shqyrtim në seancë plenare.

Sa i përket kërkesës së deputetit, Bislim Hoti, për ndërrimin e anëtarit të Kryesisë nga radha e komuniteteve joshqiptare dhe joserbe, si dhe përfundimit të Kuvendit lidhur me interpretimin e procedurave për emërimin e Avokatit të Popullit dhe të zëvendësit kryesor të tij, Kryesia ka vlerësuar se për shkak të procedurave të ngatërruara, çështjet paraprakisht duhet të bisedohen me OSBE-në, e mundësisht udhëheqja e Kuvendit të ketë një takim të përbashkët me ekspertët ligjorë të OSBE-së dhe të UNMIK-ut, për interpretim më të saktë të procedurave të zgjedhjes.

Anëtarët e Kryesisë janë pajtuar që t’i vazhdohet edhe për një muaj mandati Komisionit Hetimor për të gjeturat faktike të Zyrës së Auditimit Gjeneral (sipas kërkesës së kryetarit të komisionit, Ferid Agani).

Kryesia ka shqyrtuar edhe propozimvendimin për sanimin e dëmtimeve të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në vlerë prej 10800 euro, kurse sa i përket një vendimi të mëparshëm të Kryesisë (nr.02-2781-1/06) për shitjen e gjeneratorëve të Kuvendit, është vlerësuar se është më e dobishme që gjeneratorët të përdorën në ndërtesën e Kuvendit se sa të shitën me çmimin tepër të ulët, që ofron tregu.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës