Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti ambasadorin e Suedisë në Beograd, z. Lars Goran Engfeldt

, 18.12.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim lamtumirës me ambasadorin e Suedisë në Beograd, z. Lars Goran Engfeldt, i cili shoqërohej edhe nga Ann Sofie Nelsson, shefe e Zyrës së Suedisë në Prishtinë. Duke i njoftuar për organizimin e punës dhe për rezultatet që arrihen në Kuvendin e Kosovës, kryeparlamentari Berisha theksoi se përparësi po u jepet ligjeve bazike. Lirisht mund të thuhet se si Kuvend kemi përmbushur me kohë ato kërkesa që janë shtruar si standarde nga Bashkësia Evropiane. Kosova është e gatshme për të marrë të gjitha kompetencat duke garantuar edhe pozitën e minoriteteve. Në vijim kryeparlamentari Berisha foli për reformimin e punës në Kuvend, synimi i së cilës është aplikimi i modeleve të punës si në vendet me traditë demokratike. Berisha shprehu mirënjohje për trajtimin e bashkatdhetarëve tanë që punojnë e jetojnë në Suedi nga ana e këtij vendi.

Z. Lars Goran Engfeldt përgëzoi kryeparlamentarin për transparencën dhe efikasitetin që po dëshmohet në punën e Kuvendit të Kosovës, duke shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen e deputetëve serbë, por njëkohësisht shprehu bindjen se kjo nuk do të zgjasë. Z. Engfeldt inkurajoi kryeparlamentarin Berisha për të vazhduar kontaktet edhe më të ngjeshura me parlamentet Evropiane me qëllim të këmbimit të përvojave, e në këtë kuadër edhe me Parlamentin e Suedisë.

Kryeparlamentari Berisha priti ambasadorin e Suedisë në Beograd, z. Lars Goran Engfeldt