Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti një grup studentësh të EMA-s

, 19.12.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot një grup prej 90 studentësh të Master-Programit Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA), që studiojnë në Venecie. Duke u dëshiruar mirëseardheje, takimin me studentë Berisha e ka quajtur takimin më të dashur të tij.

Berisha u ka shpjeguar studentëve përbërjen e Kuvendit të Kosovës, diskriminimin pozitiv që zbatohet për përfaqësimin e minoriteteve dhe punën që ka bërë legjislativi i vendit për miratimin e ligjeve, duke mbajtur çdo herë parasysh të drejtat dhe liritë e njeriut.

Kreu i legjislativit ka folur për reformat që janë ndërmarrë në punën e Kuvendit, me theks të veçantë pyetjet e deputetëve për Qeverinë dhe Interpelancën e kryeministrit dhe të ministrave të resoreve.

Duke folur për sukseset, Berisha është shprehur: “rezultatet janë shumë më të mira se sa përvoja dhe mosha që ka ky kuvend”.

Studentët e Master-Programit Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim, në takim me kryerparlamentarin Berisha, kanë shtruar pyetje të shumta lidhur me vizionin për të ardhmen dhe sidomos për pozitën e minoriteteve dhe gjasat për integrimin e tyre në shoqërinë e Kosovës.

Berisha ka pohuar synimin e palëkundur të institucioneve të vendit dhe të qytetarëve tanë për pavarësinë. Ai, ndërkaq, ka pohuar se shqiptarët mund të jetojnë bashkë me serbët në Kosovën e pavarur dhe fqinjë me Serbinë. Berisha ka theksuar vullnetin e manifestuar për garantimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, që do të sanksionohet edhe në Kushtetutën e re të Kosovës. Ai më këtë rast ka përmendur angazhimin e një numri solid të serbëve në SHPK dhe në TMK, duke u shprehur optimist se në Kosovën e ardhshme, të zhvilluar ekonomikisht, serbët e Kosovës do të jetojnë më mirë se sa ata në Serbi.

Berisha ka vlerësuar fokusimin e studentëve në programe për të drejtat e njeriut. “Suksesi juaj reflektohet fuqishëm në mbrojtjen efikase të të drejtave të njeriut e të proceseve demokratike” – ka spikatur Berisha.

Kryeparlamentari Berisha priti një grup studentësh të EMA-s