Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 20.12.2006
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme plenare, të drejtuar nga Kolë Berisha kryetar, nuk kanë arritur të votojnë për Projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2007.
Deputetë nga radhët e opozitës (Grupi Parlamentar i PDK-së, ai i ORA-s dhe ai për Integrim), fillimisht i kanë bërë kritika të shumta Projektligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2007, e pastaj e kanë braktisur seancën plenare. Pas pauzës prej dy orësh (për t'u konsultuar me shefat e grupeve parlamentare), është konstatuar se mungon kuorumi i nevojshëm për ta votuar buxhetin e Kosovës.
Nga deputetë të pozitës ka pasur edhe akuza se opozita po synon të krijojë krizë parlamentare.
Projektligji për buxhetin e Kosovës për vitin 2007 do të provohet të nxirret për votim ditën e shtunë, deri kur pritet të kthehen, nga udhëtimi jashtë vendit, disa deputetë nga radhët e pozitës, të cilët besohet se mund ta plotësojnë kuorumin e nevojshëm për votim të buxhetit.
Fillimi i seancës së sotme iu kushtua pyetjeve të deputetëve për Qeverinë e Kosovës, të cilave u është përgjigjur kryeministri Çeku.
Ditën e premte (21 dhjetor), ndërkaq, do të debatohet për shtyrjen e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar për Integrim) dhe për gjendjen energjetike në Kosovë (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së), rend dite ky që ishte përcaktuar më parë.