Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 21.12.2006




Megjithëse ishte paraparë që në seancën e sotme plenare të debatohej për shtyrjen e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar për Integrim) dhe për gjendjen energjetike në Kosovë (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së), për shkak të aksionit të djeshëm policor, në të cilin janë kapur sasi të mëdha armësh dhe janë arrestuar zyrtarë të një ministrie dhe të një partie, më shumë se një orë është folur për çështje të sigurisë, me tone kritike për Qeverinë dhe koalicionin qeverisës (nga radhët e opozitës), ndërkohë që deputetë të pozitës, kanë lavdëruar punën e Qeverisë, por edhe aksionin e suksesshëm të policisë. Në fund deputetët, me shumicë votash, janë pajtuar që çështja e sigurisë të shqyrtohet në një seancë të radhës (brenda dhjetë ditësh), kurse Ministri i Brendshëm të raportojë për aksionin e policisë për kapjen e armëve dhe arrestimin e personave përgjegjës.

Duke e filluar pikën kryesore të rendit të ditës: shtyrja e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, kryeparlamentari Berisha i ka njoftuar deputetët se anëtarët e Grupit Negociator për përcaktimin e statusit të Kosovës, nuk marrin pjesë në këtë seancë, sepse vlerësojnë se nga raportimi i tyre i fundit në Kuvend, nuk ka ndodhur asgjë e re që do të duhej të theksohej. Mu për këtë Berisha e ka vlerësuar të paobjekt debatin në këtë temë.

Në vazhdim, pjesëmarrësit në debat kanë qenë kritik ndaj pjesëtarëve të Grupit Negociator të Kosovës. Në fund, me shumicë votash, deputetët kanë vendosur që kjo çështje të shtyhet për një seancë tjetër, në të cilën duhet të jetë i pranishëm Grupi Negociator.

Gjatë debatit për gjendjen energjetike në Kosovë, janë shprehur fjalë kritike në adresë të Ministrinë së Energjetikës e të Minierave, por edhe të KEK-ut, për furnizim të parregullt me energji elektrike dhe për menaxhim jo të mirë. Është kërkuar të hartohet një strategji nacionale për dalje nga kriza energjetike dhe të bëhen ndërrime kadrovike në KEK.

Ministri i Energjetikës, Ethem Çeku, ka folur për vështirësitë në lëmin e energjetikës, por edhe për sukseset e arritura të ministrisë së tij dhe për planet afatgjata për prodhim të bollshëm dhe furnizim të rregullt me energji elektrike.

Nga punimet e seancës plenare