Lajmet e fundit

FJALA E KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVË, Z. KOLË BERISHA, NË TAKIMIN E VITIT TË RI ME PËRFAQËSUES TË MEDIAVE

, 26.12.2006




Të nderuar përfaqësues të medias: gazetarë, kameramanë, fotoreporterë, tonistë, ndriçues dhe të gjithë ju, përfaqësues të medias së shkruar dhe asaj elektronike,

Fillimisht, më lejoni t’ju falënderoj që erdhët në këtë takim me të cilin bashkërisht po e shënojmë përmbylljen e një viti. Kemi kaluar, edhe ne e dhe ju, një vit të rëndë, me shumë angazhime, me shumë sfida, me shumë lodhje, por edhe një vit në të cilin çdo sukses na jepte kënaqësinë e kontributit për plotësim të një standardi më shumë në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Mendoj se, në këtë rrokullisje të shpejtë të ngjarjeve, Kuvendi i Kosovës ka qenë në nivel të përgjegjësisë. Krahas veprimtarisë së rregullt, veprimtarisë kryesore të miratimit të ligjeve, janë bërë edhe disa hapa të rëndësishëm me të cilët mendoj se ka arsye të krenohet Kuvendi i Kosovës. Gjatë këtij viti janë miratuar ose janë në procedurë 78 ligje e projektligje (34 + 44). Prej tyre, 19 janë nënshkruar në UNMIK. Të tjerat i presim së shpejti.

Disa herë është përmendur, por po e theksoj edhe me këtë rast, se një sukses me të cilin mund të mburremi veçanërisht është pa dyshim përmbushja e standardeve që janë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës. Pra, fjala është për disa ligje dhe veprime të kërkuara nga Grupi i Kontaktit, që kanë edhe peshën e standardeve, dhe do të jenë të rëndësishme në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Këto tri ligje janë: Ligji për trashëgiminë kulturore, Ligji për gjuhët dhe Ligji për liritë fetare. Kuvendi i Kosovës kështu ka bërë punën e vet. Deputetët kanë treguar përgjegjësinë e tyre duke ndjekur atë që është interes i Kosoves, e jo ndonjë mendim personal apo partiak. Madje, ligjet e kërkuara janë miratuar edhe para afatit. Në këtë mënyrë, Kuvendi mund të shërbejë si provë e dëshmi se Kosova meriton pavarësinë, sepse institucionet e saj munden dhe dinë të menaxhojnë si duhet.

Gjatë këtij viti janë shënuar përparime substanciale në kultivimin e debatit të mirëfilltë parlamentar e demokratik, dhe në insistimin e vazhdueshëm për të zbatuar parimet e mirënjohura, si: transparenca dhe përgjegjshmëria. Duke hapur derën për auditim, udhëheqja e Kuvendit ka dashur të dërgojë mesazhin e qartë se do të fillojë nga vetvetja, për të kërkuar pastaj edhe nga të tjerët llogari e përgjegjësi për mënyrën e punës dhe të menaxhimit të fondeve publike.

Gjatë këtij viti janë bërë edhe kursime në buxhetin e Kuvendit të Kosovës. Vlera totale e kursyer vetëm në kodin buxhetor “Mallra dhe Shërbime” kap shifrën 149.331,10 euro. Kryesisht kemi pasur të bëjmë me kursimet që janë realizuar në vijat buxhetore, si: “Para të imëta”, “Veshmbathje”, Avance për udhëtime zyrtare”, “Mirëmbajtja e ndërtesës”, “Qiraja” e të tjera. Pra, kemi të bëjmë me reduktimin ose me eliminimin e shpenzimeve të panevojshme. Dhe, i gjithë ky kursim nuk ka shkuar në dëm të funksionimit të mirëfilltë të Kuvendit të Kosovës.

Natyrisht se jemi ndier shumë mirë kur, për punën e bërë, janë dhënë vlerësime të larta e komplimente, madje disa herë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, por edhe nga personalitete e institucione drejtuese të Bashkimit Evropian, të OSBE-së, etj.

Një moment tjetër, që ne e quajmë sukses, është miratimi i reformës në punën e Kuvendit. Pakoja e reformës është hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë: me NDI-në, me USAID-in, me OSBE-në dhe me Konsorciumin e parlamenteve nga katër vende evropiane. Reforma ka për synim që në Kuvendin e Kosovës të zbatohen ato praktika dhe metoda pune sikur edhe në parlamentet e vendeve me traditë demokratike. Domethënë, janë vënë në zbatim skemat që sjellin efikasitet në punë, që shkurtojnë afatet procedurale, që kanë përfshirje më të gjerë në vendimmarrje, në hartimin e buxhetit, në planifikimin e saktë të seancave plenare dhe të mbledhjeve të Kryesisë, etj. Nga efektet e reformës do të doja të veçoja posaçërisht diçka që është shumë më e avancuar se ndryshimet e tjera, madje dikush e quante revolucion i vogël: kjo është periudha e rregullt e pyetje-përgjigjeve. Në çdo seancë, 50 minutat e parë janë të paraparë dhe të detyrueshëm për përgjigje në pyetjet e deputetëve. Siç e dini edhe ju, ministrat ose Kryeministri duhet të paraqiten personalisht në Kuvend dhe të përgjigjen në pyetjet apo në shqetësimet e deputetëve. Me këtë skemë është krijuar mundësia që deputetët të sjellin në parlament shqetësimet e bazës së tyre dhe të kërkojnë zgjidhje për to. Është ky mekanizëm ku pasqyrohet qartë edhe puna e edhe mospuna e secilit. Aty shihet sa janë aktiv e kreativ deputetët dhe sa janë efikas e të përgjegjshëm ministrat apo edhe Kryeministri. Me këtë pjesë synohet, ose është bërë hapi i madh, për të ushtruar atë që quhet kontrolli demokratik i Parlamentit ndaj Qeverisë. Pikërisht ky fakt është sfidë e vërtetë për të gjitha parlamentet dhe tregues i saktë i proceseve demokratike. Po kështu, edhe interpelanca (dyorëshe), e cila, siç e keni vërejtur, është aplikuar disa herë në praktikën tonë parlamentare.

Natyrisht se nuk mund të jemi të kënaqur me numrin e ligjeve, sepse, në këtë fazë, Kosova ka nevojë edhe për më shumë ligje. Sidoqoftë, të gjitha iniciativat e Qeverisë për ligje janë nëpër procedura në Kuvend. Por, jemi të kënaqur me kualitetin e ligjeve të miratuara. Është me shumë rëndësi fakti se janë ligje moderne. Në këtë aspekt mund të thuhet se është bërë hap i rëndësishëm drejt integrimeve evropiane. Ndërsa, një shqetësim tjetër, që është karakteristikë e të gjitha vendeve, sidomos atyre në transicion, është shkalla e ultë e implementimit të ligjeve të miratuara. Por, kjo është sfidë dhe çështje që i takon të gjithëve, e sidomos Qeverisë së Kosovës.

Marrë në tërësi, gjatë këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka bërë punë solide për të sotmen dhe shumë punë e përgatitje për periudhën e passtatusit. Këtu duhet përmendur përcjellja e vazhdueshme e procesit të negociatave, përkrahja e Ekipit Negociator, përgatitja e pjesës së obligimeve për procesin kushtetues, etj. Janë bërë hapa e janë shënuar përvoja të reja që do të kenë ndikim në praktikën e ardhshme parlamentare, qoftë për këtë legjislacion, apo edhe për përbërjen që do të vijë pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat do t’i kemi vitin tjetër.

Të nderuar miq nga media

Personalisht i përkas grupit të njerëzve që kultivojnë sensin kritik e autokritik, atyre që nuk kënaqën lehtë dhe që janë vazhdimisht në kërkim për më shumë e për më mirë. Mirëpo, këto të dhëna që përmenda dhe që janë vetëm më kryesoret, janë fakte, të komentuara edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë si suksese. Prandaj, dëshirova t’i veçoj në këtë paraqitje të shkurtër.

Ju e keni ndjekur në vazhdimësi punën e Kuvendit të Kosovës dhe jeni në dijeni të të gjitha zhvillimeve, prandaj nuk po e zgjas më shumë. Sot ju kam ftuar për t’ju falënderuar për angazhimin, për punën e palodhshme, për kontributin dhe për mirëkuptimin tuaj. Puna që keni bërë dhe roli që keni luajtur gjatë këtij viti është me rëndësi të jashtëzakonshme, në interes të qytetarit dhe në interes të proceseve demokratike në Kosovë. Në shumë aspekte, gjatë këtij viti, media ka shënuar përparime. Këto suksese, ku bëjnë pjesë edhe raportet tuaja për punën e Kuvendit, meritojnë respekt e fjalë të larta miradije.

Të nderuar miq,

Ju kam ftuar sot për t’ju transmetuar nga afër dëshirat e mia dhe të bashkëpunëtorëve të mi për Vitin e Ri 2007. Dëshira të sinqerta që të keni vit të mbarë e të begatë, me harmoni në familje e në punë, me shëndet e plot suksese.

GËZUAR!

Prishtinë, 26.12.2006