Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti zëvendëskryeadministratorin Stiven Shuk
, 27.12.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim me zëvendëskryeadministratorin Stiven Shuk. Takimi kaloi në shenjë të përgëzimeve në ndërrimin e motmoteve dhe sublimimin e rezultateve të arritura në bashkëpunimin e institucioneve kosovare me ato ndërkombëtare. Në këtë frymë zëvendëskryeadministratori Stiven Shuk shprehu vlerësime të larta për punën e suksesshme të Kuvendit të Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas.”Keni bërë një punë të mirë gjatë këtij viti, duke realizuar një varg projektesh me rëndësi të madhe , prandaj keni arsye të forta për të festuar këtë përmbyllje të suksesshme të këtij viti “, theksoi Shuk. Duke iu referuar këtyre komplimenteve, kryeparlamentari Berisha theksoi se këto vlejnë edhe për UNMIK-un, sepse fjala është për një sukses të përbashkët, të arritur në partneritet në mes bashkësisë ndërkombëtare dhe Kuvendit.
Në vijim të takimit z. Shuk u interesua edhe për realizimin e marrëveshjes lidhur me shpejtimin e nënshkrimit të ligjeve të miratuara nga ana e Kuvendit të Kosovës. Në këtë vështrim ai kërkoi nga kryeparlamentari Berisha që të bëhet një listë e ligjeve më prioritare , për t’ u interesuar ai personalisht që të nënshkruhen sa më shpejt.
Zëvendëskryeadministratori Stiven Shuk u interesua edhe për çështjen e zgjedhjes së Ombudspersonit.
Përkitazi me këtë Berisha u shpreh se në procedurat e Kuvendit u shfaq problemi i kolizionit, përkatësisht fërkime rreth procedurave të UNMIK-ut dhe Kuvendit rreth kësaj çështjeje. Shih për këtë , theksoi Berisha, tani është duke u punuar të harmonizohen rregullat që përcaktojnë këtë çështje, në mënyrë që në veprimin e ardhshëm të mos ketë dallime procedurale.