Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e OSBE-së në Kosovë, Wnendt

, 04.01.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot shefin e OSBE-së në Kosovë, ambasadori Verner Wnendt, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e deritashëm dhe për hahet e bashkëpunimit në vitin 2007.

Vitin e kaluar kryeparlamentari Berisha e ka vlerësuar vit të partneritetit të suksesshëm, gjatë të cilit janë realizuar projekte madhore për Kuvendin e Kosovës. Këto rezultate Berisha i ka parë edhe si fryt të bashkëpunimit me OSBE-në, por dhe të kontributit personal të ambasadorit Wnendt.

Kreu i legjislativit të vendit i ka sqaruar shefit të OSBE-së se zgjedhja e Avokatit të Popullit është vonuar për shkak të kolezionit të normave, por ka premtuar se do të angazhohet që çështja zë zgjidhet sa më parë. Ai ka pohuar se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë projekti reformave në Kuvend dhe procesi për hartimin e Kushtetutës

Mbështetja e Kuvendit të Kosovës mbetet ndër prioritetet e OSBE-së, ka theksuar ambasadori Verner Wnendt. Ai është shprehur i bindur se zgjidhja e statusit të Kosovës do të jetë me interes për të gjithë qytetarët e vendit, prandaj edhe i atyre nga radhët e minoriteteve. Wnendt, ndërkaq, ka shfaqur shpresën se, gjatë këtij vitit, deputetët do të angazhohen më shumë për interesat e qytetarëve se sa për ato të partive, në të cilat aderojnë.

Të dy bashkëbiseduesit kanë shfaqur vullnetin për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, duke eliminuar disa vështirësi, të cilat janë reflektuar negativisht për një punë edhe më efektive të Kuvendit, siç është, bie fjala, vonimi i shpalljes së ligjeve të miratuara.

Berisha, ndërkaq, e ka mirëpritur propozimin e ambasadorit Wnendt që një eksperte ligjore nga Estonia të punojë si këshilltare e kryeparlamentarit.

 Kryeparlamentari Berisha priti  shefin e OSBE-së në Kosovë,  Wnendt