Lajmet e fundit
FJALË E MBAJTUR MË 9 JANAR 2007 NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE NË PRISHTINË ME RASTIN E NËNSHKRIMIT TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT NDËRMJET KUVENDIT TË KOSOVËS, BIBLIOTEKËS KOMBËTARE TË KOSOVËS DHE TË “PROJEKTIT TË KATËR PARLAMENTEVE EVR
, 09.01.2007
Prishtinë, 9 janar 2007
I nderuari drejtor Bashota,
I nderuari z.Curtivron, përfaqësues i Projektit “Mbështetje Kuvendit të Kosovës”, të përbërë nga katër parlamente evropiane
Zonja dhe zotërinj,
Mbrëmë, derisa po meditoja se çfarë do të mund të thoja sot në këtë akt, vërtet solemn, krejt rastësisht, m’u kujtuan shumë nga ato që janë thënë për Librin. Por, ndoshta për shkak të një analogjie tragjike, mendimi i Kafkës për Librin, më bëri përshtypje. M’i ngacmoi emocionet. Kafka thotë: “Librat i kanë armiqtë e tyre, ashtu si njerëzit: zjarrin, lagështinë, kohen dhe përmbajtjen”.
E, njërin ndër armiqtë e Librit, atë të parin - zjarrin, ne në Kosovë, e përjetuam jo rrallë herë. E përjetuam edhe në këtë luftën e fundit. Piratët ia vunë flakën edhe Librit.
E, ta djegësh Librin, do të thotë, ta djegësh, siç thotë Laube, jo vetëm “një përmendore të së djeshmes, por edhe një armë të së sotmes”, do të thotë ta djegësh, sipas Didëros “një mjeshtër të shkrimit, memec”; apo, siç do të thoshte Shekspiri, “një shok të mirë, i cili t’i zbulojë fshehtësitë”, ta fikësh “një dritë në errësirë dhe një kënaqësi në vetmi”; do të thotë ta mbyllësh një burim të dijes, një burim të arsimimit të një populli, do të thoshte Fojerbahu.
Për fat të keq, në Kosovë, edhe libri e pati fatin e njëjtë me atë të njeriut të këtyre trevave, të këtij nënqielli.
Prandaj, konsideroj se pikërisht ky akt i sotëm i nënshkrimit të Memorandumit ndërmjet Kuvendit të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe Projektit për mbështetje Kuvendit të Kosovës, që për objekt e ka librin, është në funksion të asaj se, nëse shtatë vjet më parë, në mënyrën më barbare në Kosovë është djegur libri, megjithatë, nuk është djegur dëshira, nuk është djegur dashuria për të, nuk është djegur nevoja për Librin.
Ky akt i sotëm, që fatbardhësisht nuk është i vetmi, dëshmon më së miri se, jo vetëm individët, por edhe institucionet tona, të çfarëdo veprimtarie qofshin ato, po pasurohen me librin, po u ofrohet Libri, po bëhet ajo që, institucionet tona të jenë më afër librit; ta kenë më afër atë “përmendore të së djeshmes, dhe këtë armë të së sotmes”; ta kenë pranë “mjeshtrin memec të shkrimit”, të bëhet pjesë e jona ky “shok i mirë, kjo dritë në errësirë, dhe kjo kënaqësi në vetmi”.
Të nderuar të pranishëm,
Ndjehem, vërtet i lumtur që, pas disa bisedave që kishim më herët me drejtorin e kësaj Biblioteke, prof.dr. Sali Bashotën, dhe me z. Hugues de Courtivron, përfaqësues i Projektit “Mbështetje e Mëtejme për Kuvendin e Kosovës” të financuar nga katër parlamentet Evropiane, jo vetëm për ngritjen dhe pasurimin me numër të nevojshëm të librave, por, përmes rrugës elektronike, po i hapim mundësitë që në Kuvendin e Kosovës, libri të mundë të vijë nga të katër anët e botës, dhe që nga dita e sotme, me nënshkrimin e këtij Memorandumi të mirëkuptimit, edhe formalisht, tani e tutje, këto tri subjekte, po vendosin raporte të bashkëpunimit për ofrimin e librit, për leximin e librit, për shfrytëzimin e librit për hulumtime shkencore, dhe për ruajtjen e kultivimin e librit. E, të investosh në librin, do të thotë të investosh në dije, në arsimim të një populli, do të thotë, të investosh në ardhmërinë e tij.
Zonja dhe zotërinj,
Dikush mund të pyes, se pse mu këtu, e jo në mjediset e Kuvendit të Kosovës, po organizohet ky akt solemn i nënshkrimit të Memorandumit. Përgjigja ime është fare e thjeshtë: kam dashur, madje edhe kam insistuar që, qoftë edhe vetëm përmes kësaj simbolike të thjeshtë, ceremonialin e nënshkrimit të këtij projekti, sa serioz, po aq edhe madhor, ta bëjmë mu në shtëpinë e librit, mu në këtë tempull ku promovohet libri, ku lexohet libri dhe ku ruhet libri.
Kam dashur që, edhe simbolikisht, të provoj se, të gjitha rrugët për në institucionet e tjera, madje edhe të gjitha rrugët në jetë, kalojnë, ose, duhet të kalojnë pikërisht prej këtu, prej këtij tempulli të shenjtë.
Që kur me është besuar detyra e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, përkundër përpalljes me problemet ndër më të ndryshmet, ndër prioritetet e punës time, ka qenë dhe do të mbetet përherë, krijimi i një biblioteke bashkëkohore në Kuvendin e Kosovës, me një fond të pasur librash, të një literature të zhanreve të ndryshme dhe t’ia mundësojë dhe t’ia lehtësojë deputetit – njeriut të atij institucioni, rrugën për të ardhur deri të libri.
E, me këtë Memorandum të mirëkuptimit, deputeti kosovar, dhe jo vetëm ai, shumë shpejtë do ta ketë rastin që në bibliotekën e Kuvendit të Kosovës, qoftë drejtpërdrejt në raftet e saj, qoftë përmes adresës elektronike, të bjerë në kontakt me librin, përkatësisht, me literaturën që atij i nevojitet, pavarësisht se në cilën Bibliotekë të botës ajo gjendet. Ky është vetëm hapi i parë. Hapat e tjerë do të jenë edhe më të mëdhenj. Që tani kemi oferta nga Oxfordi dhe institucione të tjera.
Në mjediset e Kuvendit të Kosovës, shumë shpejt do të funksionojë edhe pjesa për hulumtime shkencore, për çka edhe falënderoj nga zemra për mirëkuptim, bashkëvendësin tim, drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, prof. dr. Sali Bashotën, dhe mikun tonë, përfaqësuesin e Projektit “Mbështetje e Mëtejme për Kuvendin e Kosovës”, z. Hugues de Courtivron, për financimin e këtij projekti.
Do të përpiqem që, brenda një kohe shumë të shkurtër, të sigurojmë edhe një sallë leximi, në të cilën, deputeti, por edhe stafi mbështetës administrativ e politik, si dhe ai hulumtues shkencor, të ketë mundësi ta shfrytëzojë këtë madhështi – LIBRIN.
Ju faleminderit!