Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë

, 09.01.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e saj të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka vendosur që seanca parlamentare të mbahet të enjten, më 11 janar. Në këtë seancë për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për kimikatet, ai për Numrin personal dhe ai për Emrin personal. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen Projektligji për shndërrimin e poseduesve të paluajtshmërive private në pronarë, si dhe Projektligji për sigurinë në komunikacionin rrugor (pikë e shtyrë nga seanca e 14 dhjetorit 2006), i cili edhe kësaj radhe ka ngjallur debat lidhur me mënyrën e votimit të amendamenteve të shumta. Është vendosur që amendamentet të votohen veç e veç, si dhe të autorizohet administrata e Kuvendit, për t’i inkorporuar ato para se projektligji të miratohet në tërësi. Po në këtë seancë do të shqyrtohet edhe Plani hapësinor i Kosovës.

Me kërkesë të sponsorizuesit, ndërkaq, është tërhequr përkohësisht Projektligji për Memorialin e Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me qëllim që të plotësohet dhe të përcaktohet kostoja e zbatimit të tij.

Kryesia ka vendosur që ta kalojë në votim rekomandimin e Komisionit Parlamentar për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media për emërimin e dy kandidatëve në Bordin e Ankesave për Media, të propozuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, si dhe të debatohet (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së) për Raportin e Komisionit evropian për progresin në Kosovë.

Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar lidhur me interpretimin e dispozitës nga Zyra Ligjore e UNMIK-ut për emërimin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësit kryesor, në bazë të të cilit rezulton se asnjë kandidat nuk marrë votat e mjaftueshme për këtë funksion. Kryesia ka vendosur që për këtë t’i njoftojë deputetët dhe të shpallë konkurs të ri për Avokatin e Popullit dhe të zëvendësin e tij kryesor.

Tek disa anëtarë të Kryesisë ka ngjallur debat njoftimi lidhur me ndërrimin e anëtarit të Kryesisë nga radha e komuniteteve joshqiptare dhe joserbe. Është kërkuar që të shihet mirë se çka thotë Korniza Kushtetuese për përfaqësimin e fuqisë së subjekteve politike (nga zgjedhjet parlamentare) dhe përfaqësim të dyfishtë. Megjithëkëtë është vendosur që edhe kjo çështje të shtrohet në seancë plenare.

Kryesia e ka parë të ligjshme kërkesën e deputetit Nait Hasani që të debatohet për të akuzuarit në procesin e Hagës dhe ka vlerësuar se çështja duhet të shtrohet për shqyrtim në njërën nga seancat gjatë tri javëve të ardhshme.

Nga mbledhja e Kryesisë