Lajmet e fundit
FJALA E KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS, Z. KOLË BERISHA, E MBAJTUR NË SEANCËN E PARË PLENARE PËR VITIN 2007 TË KUVENDIT TË KOSOVËS
, 11.01.2007
Të nderuar kolegë deputetë,
I nderuari kryeministër Çeku, kabinet qeveritar,
Të nderuar pjesëtarë të korit diplomatik të akredituar në Kosovë, monitorues të punimeve të këtij Kuvendi,
Zonja dhe zotërinj,
Meqë kjo është seanca e parë plenare me të cilën po i fillojmë punimet e këtij Kuvendi në vitin që sapo kemi hyrë, më lejoni që, duke ju falënderuar të gjithëve, në radhë të parë, për kontributin e dhënë gjatë vitit që shkoi, qoftë në grupe parlamentare, qoftë në seancat plenare, në komisione, apo edhe në trupa të tjera punuese të Kuvendit dhe, po ashtu, duke ju falënderuar për mirëkuptim, bashkëpunim korrekt gjatë vitit që shkoi, sot, në emër të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, dhe në emrin tim personal, uroj që në Vitin e Ri 2007 të keni në radhë të parë shëndet dhe suksese më të mëdha në punë.
Të nderuar të pranishëm,
Unë sot dola këtu që, në këtë fillim, me pak fjalë, ta bashkëpërkujtojmë se viti në të cilin po i bëjmë hapat e parë, viti 2007, vërtet është vit vendimtar, vërtet është vit historik për Kosovën dhe për popullin e saj. Kur kihen parasysh pesha e çështjes me të cilën shumë shpejt duhet të përballemi, roli historik që kemi, përgjegjësia po ashtu historike që kemi ndaj të sotmes dhe të nesërmes së këtij populli, e, mbi të gjitha, kur kihet parasysh fakti se në histori mund të hymë si triumfues, nëse arrijmë t’i realizojmë qëllimet tona, por në histori mund të hyjmë edhe si diçka tjetër, nëse gjatë këtij viti kritik nuk do të dimë që në momentin e duhur ta luajmë edhe potezin e duhur, atëherë lind nevoja për një mobilizim më të madh të të gjithë neve së bashku, në mënyrë që t’i përmbushim premtimet që ia kemi dhënë elektoratit, ta përmbushim porosinë e atyre që u flijuan për një të vetmin qëllim – realizimin e asaj që është qëllim i të gjithë neve që jemi këtu.
Kolegë të nderuar,
Nuk kam për qëllim që tek ju të ngjall shqetësim lidhur me proceset që i kemi përpara. Jo. Por, ajo që kërkohet prej nesh është punë me përgjegjësi, ndërgjegjësimi dhe koshienca jonë për proceset. Nëse të tjerët flenë edhe ditën, ne nuk do të duhej të flemë as natën. Çështja, pra, sa është motivuese e emocionuese , është po aq edhe serioze.
Së këndejmi, dua t’ju them se, gjatë muajve në vijim, ky Kuvend do të përballet me sfida ndër më ndryshmet dhe ndër më të rëndat. Ky Kuvend do të marrë vendime, ndoshta shumë të vështira, vendime që do ta përcaktojnë dhe do ta definojnë qartë fatin e Kosovës, fatin e fëmijëve tanë dhe të fëmijëve të fëmijëve tanë.
Dua të tërheq vërejtjen se, ky Kuvend, shumë shpejt, ndoshta që në seancën e ardhshme, pas konsultimeve dhe harmonizimit të qëndrimeve ndërmjet të subjekteve politike, në procedurë të rregullt kushtetuese, do t’i përcaktojë kriteret dhe do të marrë vendim për miratimin e Këshillit Kushtetues, i cili do ta hartojë Kushtetutën e re, Kushtetutën e parë të Kosovës së pavarur.
Dua të vë në spikamë se ky Kuvend, po ashtu, shumë shpejt, do të përballet me çështjen e simboleve siç janë: Flamuri, Himni dhe simbolet e tjera të shtetit të ardhshëm të Kosovës.
Shumë shpejt do ta kemi para nesh, për shqyrtim, të ashtuquajturën “Paketë e Marti Ahtisarit” dhe jemi ne, në këtë Kuvend, ata që, asaj pakoje, duhet t’i japim përgjigjen e duhur.
Ky Kuvend, shumë shpejt do t’i ketë para vetes për shqyrtim dhe miratim, një numër të madh projektligjesh dhe aktesh të tjera nënligjore, me të cilat, do të rregullohen fusha të ndryshme të jetës, tani, në rrethana të reja, në një Kosovë të pavarur dhe sovrane. Pra Komisionet duhet të jenë shumë më azhure. Por, të gjitha këto detyra, sado që na duken të rënda, ne do t’i përmbushim me lehtësi nëse vërtet jemi unikë, nëse vërtet jemi të përgjegjshëm, nëse vërtet e duam këtë vend, e duam këtë tokë, siç po deklarohemi çdo ditë. Por, po ashtu, në rast nevoje, ky Kuvend, pas konsultimeve paraprake, do të dijë që, me kohë dhe me mjete të duhura, të veprojë në harmoni me rolin, kompetencat dhe mandatin që e ka marrë nga populli.
Andaj, kolegë të nderuar deputetë, kryeministër Çeku, zëvendëskryeministër Haziri, ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë së Kosovës, njerëz të këtij vendi të shtrenjtë e të shenjtë, ju thërras, jo vetëm si kryetar i Parlamentit të Kosovës, dhe jo vetëm si koleg, si mik dhe si bashkëqytetar i juaji, por, ju lus që, deri sa të përfundojë procesi i definimit të statusit të Kosovës, derisa bëjmë Kushtetutën tonë, derisa duhet t’i mbajmë zgjedhjet e para lokale dhe nacionale, dhe ta formojmë qeverinë e parë në Kosovën e pavarur, t’i lëmë me një anë kundërthëniet e çastit, t’i lëmë me një anë interesat e ngushta partiake, klanore, ideologjike, farefisnore, etj., (të cilat, në të tjera rrethana, do të ishin krejt normale). Më lejoni të përsëris konstatimin që e dua shumë: janë 99 fije që na bashkojnë dhe vetëm një, madje edhe ajo shumë e hollë, që na ndan. Një fjalë e urtë thotë: “Nëse nuk jemi bashkë në të njëjtin front, do të jemi bashkë në të njëjtin litar”.
Prandaj, ju ftoj që të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, shumicë dhe pakicë, të jemi në nivel të përgjegjësive që kemi; të jemi unikë në vendimmarrje; të jemi të përgjegjshëm për rolin historik që kemi. Në emër të të gjitha këtyre që u thanë dhe të shumë të tjerave që nuk u thanë, në emër të të sotmes dhe të nesërmes, uroj që të kemi vit të suksesshëm e punë të mbarë.
Faleminderit!
Prishtinë, 11.01.2007