Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 11.01.2007
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme plenare, kanë miratuar Projektplanin hapësinor të Kosovës (2005-2015) dhe kanë shqyrtuar katër projektligje. Për herë të parë janë shqyrtuar : Projektligji për kimikatet, ai për Numrin personal dhe ai për Emrin personal, ndërkaq për herë të dytë është shqyrtuar Projektligji për sigurinë në komunikacionin rrugor, i cil do të votohet edhe një herë si i plotë (pasi që të inkorporohen amendamentet e miratuara).
Po në këtë seancë është mbështetur rekomandimi për emërimin e dy kandidatëve në Bordin e Ankesave për Media, të propozuar nga Gjykata Supreme e Kosovës. Anëtarë në Bordin e Ankesave për Media do të jenë Avdi Dinaj dhe Anton Nokaj.
Deputetët janë njoftuar me interpretimin e dispozitës për emërimin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësit kryesor dhe me përmbajtjen e një letre të PSSPS-së, Ryker, lidhur me procedurat e zgjedhjes së personave në këto poste të rëndësishme.
Seanca plenare i ka dhënë një votë formale deputetit Bislim Hoti, i cili, sipas rotacionit, zëvendëson Mahir Yagcilarin, në postin e anëtarit të Kryesisë nga radha e komuniteteve joshqiptare dhe joserbe.
Me motivacionin se për shkak të vonesës së radhitjes për debat në seancë plenare të Raportit të Komisionit Evropian, nga vetë propopzuesi është kërkuar që çështja të heqet nga rendi i ditës dhe ashtu është vendosur.
Me propozim të deputetes, Nekibe Kelmendi dhe arsyetimin e saj për materie të pamjaftueshme (normat e tij gjenden në ligje të tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës), sponsorizuesiut i është kthyer Projektligji për shndërrimin e poseduesve të paluajtshmërive private në pronarë.
Është hequr nga rendi i ditës edhe shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për aprovimin e transferit të mjeteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, këtë e ka arsyetuar me faktin se për këtë çështje është dashur të vendosej para se të miratohej Buxheti i Kosovës për vitin 2007.