Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 12.01.2007
Raporti i ekspertizës për punët e kryera në Qendrën Admonistrative dhe Protikollare në Gërmi, ka qenë tema kryesore e mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit.
Sipas ekspertizës, të cilën në emër të N.P.N. “NPE -ing” e ka prezantuar para anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit, ing. Kenan Krasniqi, del se ka pasur jokompetencë profesionale të firmës ndërtimore dhe të asaj për mbikëqyrjen e punimeve, kurse nga specifikimet e punëve të kryera dhe të materialeve të harxhuara, rezulton se Kuvendi i Kosovës i ka paguar ndërmarrjes ndërtimore MEGA nga Gjilani rreth një milion euro më shumë sa sa vlera e ndërtimeve në Qendrën Administrative dhe Protokollare.
Po në këtë mbledhje të Kryesisë, mbikëqyrësi i punimeve në QAP, Bujar Demjaha, e ka quajtur të pa papërfunduar dhe të pasaktë raportin e ekspertizës. Ai ka theksuar se ekspertiza nuk ka evidencuar shumë punë të kryera dhe materiale të shpenzuara. Nga llogaritë e tij rezulton të jenë shpenzuar të gjitha paratë e paguara nga Kuvendi i Kosovës, megjithëse ekspertiza ka konstatuar se nuk është instaluar rryma dhe pajisjet tjera elektrike, për të cilën janë marrë 560 mijë euro, nuk është instaluar ngrohja qendrore dhe nuk është përfunduar pishina, për të cilat janë paguar mjetet, sikur të ishin të përfunduara.
Kryesia e ka autorizuar sekretarin e Kuvendit, Ismet Krasniqi, që të kontaktojë me punëkryesin për të parë mundësitë e bashkëpunimit dhe të përfundimit të Vilës Gërmia, megjithëse ndonjëri nga anëtarët e Kryesisë ka deklaruar se tashmë është bjerrë besimi për afaristin, i cili madje kërkon edhe pagesa shtesë për punët e pakryera.
Kryesia po në këtë mbledhje ka shqyrtuar edhe propozimin e Projektit për mbështetje të mëtejme Kuvendit të Kosovës për funksionalizimin dhe reformimin e administratës së Kuvendit. Është konstatuar se propozimet për ndarjen e stafit politik nga shërbyesit civilë, si dhe ndarjet e sektorëve, sidomos forcimi i ekipit të zyrtarëve ligjor, do të reflektohet mirë në punën e Kuvendit. Krejt në funksion të përzgjedhjes së stafit dhe të autonomisë menaxhuese të Kuvendit të Kosovës, Projekti propozon amendamentimin e Ligjit për shërbyesit civilë, si dhe hartimin e Rregullores së funksionimit të administratës së Kuvendit.