Lajmet e fundit
Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për tatimin në vlerën e shtuar në Kosovë
, 17.01.2007
Aplikimi i TVSH-së edhe për mallra që ofrohen si ndihmë humanitare ka sjellë OJQ-të përkatëse në një situatë të pa rrugëdalje. Kjo paraqitet si pengesë edhe për vazhdimin e veprimtarisë së tyre . Donatorët duan të ndihmojnë, por nuk pranojnë të paguajnë tatim për ndihmat që ofrojnë. Në këtë situatë ata po detyrohen, pa dëshirën e tyre, që të orientohen për t’ i ofruar ndihmat e tyre në shtete e tjera, e jo në Kosovë. Zbatohet TVSH-ja madje edhe për veshmbathje të bajtur, si dhe për material shkollor për fëmijë të shtresave më të varfra të shoqërisë kosovare. Aplikimi i TVSH-së paraqitet si pengesë edhe në veprimtarinë e mediave të shkruara dhe të atyre elektronike. Këto ishin disa nga konstatimet themelore që u thanë në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, lidhur me Projektligjin për tatimin në vlerën e shtuar në Kosovë, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të mediave të shkruara dhe elektronike.
Përfaqësuesit e këtyre organizatave paraqitën shembuj të shumtë nga rajoni dhe Evropa, ku TVSH-ja ose nuk aplikohet fare për veprimtarinë e këtyre organizatave, ose edhe nëse parashihet një gjë e tillë, ajo është tejet e ulët. Ata këmbëngulnin se sipas logjikës së thjeshtë nuk mund të tatimohet humaniteti . Kur është fjala për media ata kërkonin heqjen e TVSH-së duke e ditur se me çfarë vështirësish ballafaqohen mediat. Duke hequr TVSH-në ato do të kishin kushte më të volitshme për zhvillim, por edhe për të ruajtur pavarësinë e tyre. Të gjithë diskutuesit kërkonin që anomalitë dhe parregullsitë e Rregullores së tashme mbi TVSH-në të mos përsëriten në Projektligjin për tatimin në vlerën e shtuar, përkatësisht në Ligjin e ri.
Nga kryetari i Komisionit, Naser Osmani, por edhe nga anëtarët tjerë, u tha se këto vërejtje të këtij dëgjimi publik do të merren parasysh. Po kështu, do të kenë parasysh edhe praktikat më të mira në këtë fushë nga shtetet e rajonit dhe Evropa.