Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë

, 22.01.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e saj të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka vendosur që seanca parlamentare e radhës të mbahet, të premten , më 26 janar.

Pas kohës për pyetje parlamentare, seanca do të ketë në rendin e ditës miratimin e tekstit përfundimtar të Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor. Për herë të dytë do të shqyrtohen edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kadastrën, ai për r arbitrazhin, si dhe Projektligji për mbrojtjen e varieteteve të bimëve. Në po këtë seancë do të zhvillohet debat për gjendjen e sigurisë në Kosovë ( në bazë të vendimit të seancës të 21 dhjetorit 2006).

Në rëndin e ditës do të jenë edhe kërkesat e Grupit Parlamentar të AAK-së për miratimin e Rezolutës për organizimin e diasporës kosovare dhe kërkesa e grupit të deputetëve për të debatuar për tre qytetarë të Kosovës, të akuzuar në Gjyqin e Hagës.

Sa i përket kërkesës së Shoqatës së familjarëve të pagjetur për shpalljen e 27 prillit -Ditë e të pagjeturve në Kosovë, u tha se ajo duhet të ndjekë procedurën parlamentare për t’ u shtruar në rendin e ditës.

Ndërkaq, përkitazi me rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa rreth investimeve kapitale të ART-së për vitin 2007, ishte fjala për ndërrimin e shkallës së përqindjes të të ardhurave të këtij agjencioni nga Buxheti i Kosovës, u vendos që propozuesi të paraqesë një argumentacion më të gjerë për këtë çështje, në mënyrë që pastaj të merret vendim lidhur me shtruarjen e saj në ndonjë seancë të ardhme të Kuvendit.

Nga mbledhja e Kryesisë