Lajmet e fundit

Dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e gatishmërisë emergjente

, 23.01.2007




Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naim Maloku, kryetar i Komisionit, organizoi sot një dëgjim publik me Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, të udhëhequra nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, përkitazi me ngritjen e kapaciteteve të mbikëqyrjes parlamentare mbi institucionet e gatishmërisë emergjente, në bashkëpunim me KIPRED-in dhe me OSBE-në.

Në fillim të këtij dëgjimi, Naim Maloku, theksoi se në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të mbikëqyrjes parlamentare mbi institucionet e gatishmërisë emergjente është formuar Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, i cili po merr kompetencat përkatëse në fushën e sigurisë.

Në vijim anëtarët e Komisionit shtruan disa pyetje rreth punës së TMK-së dhe vizioneve të së ardhmes së saj. Mbi këto çështje anëtarët kishin edhe një raport me shkrim, por kësaj radhe ata dhe pjesëmarrësit tjerë merrnin informata edhe më të gjera. Në këtë frymë gjenerallejtënant Sylejman Selimi theksoi se edhe TMK-ja, si pjesë e shoqërisë kosovare është në një proces shumë të rëndësishëm, në pritje të pakos së Ahtisarit dhe përgjithësisht zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ne , theksoi në vijim Selimi, kemi idetë dhe vizionet për të ardhmen e TMK-së, të strukturës mbrojtëse të vendit. Këto ua kemi dorëzuar të gjitha institucioneve më të larta të vendit, sepse ato në bashkëpunim me strukturat ndërkombëtare do të vendosin rreth të ardhmes së strukturës mbrojtëse të Kosovës.

Piramida strukturale aktuale e TMK-së, përkatësisht numri i madh i oficerëve kundruall ushtarëve në TMK, shtron si domosdoshmëri aprovimin e një ligji për pensionim të parakohshëm të disa eprorëve të TMK-së, tha pastaj gjenerallejtënant Sylejman Selimi.

Nga disa shkaqe një numër eprorësh nuk do të mund të angazhohen në strukturat mbrojtëse, qoftë për shkak të moshës, invaliditetit etj., ndaj për këtë çështje duhet të kemi një ligj, me të cilin do të rregullohet statusi i tyre, tha Selimi.

Me këtë rast gjenerallejtënant Sylejman Selimi foli edhe për segmente të tjera të veprimtarisë së TMK-së. Duke folur rreth rekrutimit të pjesëtarëve të komuniteteve në TMK, ai theksoi se politika e dirigjuar nga Beogradi po pengon serbët vendës të angazhohen në TMK, me gjithë dëshirën e tyre. TMK-ja, ndërkaq, bën gjithçka që është e mundur për krijimin e kushteve për rekrutim të pjesëtareve të të gjitha komuniteteve, e sidomos për pjesëtarët serbë, për të dëshmuar se kjo trupë është e të gjithë qytetarëve të vendit.

Dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen parlamentare  mbi institucionet e  gatishmërisë emergjente