Lajmet e fundit

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar, u prit në Ministrinë e Jashtme të Francës

, 29.01.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, në kuadër të programit të vizitës në Francë, sot, në orët e vona të pasdites zhvilloi në Paris një takim të rëndësishëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës. Bashkë me kryeparlamentarin Berisha, në këtë takim morën pjesë edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës: Naim Maloku e Ramë Buja, dhe deputeti Mahir Jakxhillar.

Nikoqirë të delegacionit të Kuvendit të Kosovës ishin tre zyrtarë të lartë të kësaj Ministrie, të ngarkuar me çështje të Ballkanit dhe të Kosovës: Jean–Francois Terral, drejtor i Departamentit për Evropën Kontinentale dhe njëkohësisht përfaqësues i Francës në Grupin e Kontaktit, z. Arnold Danjean, këshilltar i Ministrit të Jashtëm, dhe z. Eduard Bellay, zëvendësdrejtor i Departamentit për Ballkanin dhe çështjen e Kosovës. Janë këto tri personalitetet më të larta të diplomacisë së Francës që vazhdimisht kanë qenë të angazhuara rreth çështjes së Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha paraqiti zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në punën e bërë nga Kuvendi i Kosovës për realizimin e rolit demokratik dhe për punën që është bërë në të gjitha fushat edhe nga institucionet e tjera për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare. Kryetari Berisha shprehu përkrahjen e institucioneve të Kosovës për punën e presidentit Ahtisari si dhe mirënjohjen për rolin aktiv e konstruktiv të Francës në Grupin e Kontaktit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.

Kryetari Kuvendit foli për vëmendjen e përqendruar me të cilën po pritet pakoja e presidentit Ahtisari dhe shfaqi shpresën se përmbajtja e saj do të jetë në përputhje me vullnetin e shumicës së popullit për pavarësinë e Kosovës, si dhe paraqiti detaje për garancitë që ofrohen për pozitën e të gjitha minoriteteve në Kosovën e pavarur. “Kosova e pavarur do të jetë faktor stabiliteti ne rajon”, tha kryeparlamentari Berisha.

Këshilltari i ministrit të Jashtëm të Francës, z. Arnaud Danajen, tha se Franca mbështet totalisht punën dhe pakon e presidentit Ahtisari. Propozimet e tij, tha ai, janë fryt i bisedimeve të zhvilluara në këtë proces. Kontributi i palës kosovare, tha ai, ka qenë pozitiv dhe shfaqi bindjen se përmbajtja e pakos se Ahtisarit do të jetë pozitive dhe zgjidhja më e mirë dhe e vetmja e mundshme në këtë moment, e cila do të ketë konsensusin e bashkësisë ndërkombëtare. Mesazhi tjetër që paraqiti zoti Danajen ishte se Kosova ka shumë nevojë pikërisht për konsensusin ndërkombëtar.

Për Pakon e Ahtisarit foli edhe Jean-Francois Terral, drejtor i Departamentit të kësaj Ministrie për Evropën Kontinentale dhe përfaqësues i Francës në Grupin e Kontaktit. Zoti Fransua Terral e theksoi shumë të rëndësishëm unitetin e Grupit të Kontaktit për çështje të Kosovës, sikundër që kërkoi që edhe pala kosovare duhet të jetë unike në këtë proces, i cili po e kalon një faze shumë dinamike. Procesi nuk duhet të ndalet, tha ai, dhe është me rëndësi të vazhdojë kjo dinamikë drejt përfundimit të tij.

Në këtë bashkëbisedim morën pjesë edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të cilët paraqitën argumente dhe mendimet e tyre për aspekte të ndryshme të këtij procesi. Franca përkrah zgjidhjen e cila përfill vullnetin politik të shumicës në Kosovë, e cila duhet të arrihet me mbështetjen konsensuale të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo mbështetje do të mbetet e rëndësisë së veçantë për Kosovën edhe pas definimit të statusit të saj.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar, u prit në Ministrinë e Jashtme të Francës