Lajmet e fundit

Bordi i deputeteve u takua me zëvendëskryeministri, z. Lutfi Haziri

, 31.01.2007




Grupi Joformal i deputeteve të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Gjylshen Berisha dhe Hatixhe Hoxha, patën një takim me karakter pune me përfaqësues të Grupit punues për zgjedhjet, që kryesohej nga zëvendëskryeministri z. Lutfi Haziri, në përbërje të të cilit janë edhe Sabri Kiçmari, Zenun Halili, dhe Ylli Hoxha.

Ky takim është thirrur nga Grupi Joformal i deputeteve të Kuvendit të Kosovës, me qëllim të informimit rreth punës së Grupit për zgjedhjet, si dhe për Ligjin Zgjedhor.

Deputetet ngritën shqetësimet e tyre sa i përket këtyre çështjeve, si: çfarë sistemi zgjedhor do të kemi, dhe cila është pozita e gruas në sistemin zgjedhor?

Pasi që tash pritet shpalosja e pakos së z. Ahtisari e që ka të bëjë edhe një pjesë edhe me zgjedhjet, deputetet thanë se dëshirojnë të japin kontributin e tyre në këto çështje, pra të jenë faktor aktiv në këtë proces e jo të mbesin pasive.

Nga zëvendëskryeministri dhe përfaqësuesit e Grupit të punës për zgjedhjet u tha se ky grup ka koncenzus sa i përket çështjeve si:
1. Kosova do të jetë një njësi zgjedhore;
2. Listat zgjedhore do të jenë të hapura;
3. Do të jetë sistemi proporcional;
4. Kuota gjinore prej 30% do të jetë e garantuar brenda listës garuese.

Në interes të bashkëpunimit të dyanshëm të dyja palët u dakorduan që dy përfaqësuese të Bordit të Grave të marrin pjesë në mbledhjet e rregullta të Grupit të punës për zgjedhjet.

Ky takim pune i paraprin Tryezës së rrumbullakët për Ligjin Zgjedhor, si dhe konferencës rajonale që pritet të mbahet së shpejti në Prishtinë.

Bordi i deputeteve u takua me zëvendëskryeministri, z. Lutfi Haziri