Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker
, 01.02.2007
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha , kishte sot një takim me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker . Tema qendrore të këtij takimi ishin proceset aktuale në kontekstin e pritjes së Pakos së Ahtisarit, si dhe aktivitetet e Kuvendit në fushën e legjislacionit. Lidhur me përgatitjet për takimin e nesërm me Ahtisarin, z.Ryker tha se UNMIK-u me të gjitha mënyrat është në dispozicion për t’i ofruar ndihmë dhe bashkëpunim Grupit të Unitetit.
Sa i përket fushës së legjislacionit Ryker përmendi disa ligje, të cilat janë shumë të rëndësishme për fazën e tranzicionit, duke u shprehur se do të ishte mirë të shpejtohet miratimi i Ligjeve për emrin personal dhe ai për numrin personal. Po kështu, ai theksoi se në radhën e prioriteteve është edhe Ligji për pasaportat, ai për letërnjoftimin dhe ai për vendbanimin. Në këtë vështirim kryeparlamentari Berisha falënderoi kryeadministratorin për angazhimin e veçantë të tij në shpalljen e disa ligjeve gjatë ditëve të fundit, si : Ligji për duhanin , Ligji për mbrojtjen nga zjarri, Ligji për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, Ligji për veprimtarinë hidrometeorologjike dhe Ligji për peshkatarinë dhe akuakulturë. Ryker premtoi se do të angazhohet me zyrën ligjore të UNMIK-ut për të shpejtuar shpalljen edhe të ligjeve të tjera që presin për t’u nënshkruar.
Bashkëbiseduesit me këtë rast këmbyen përshtypjet e tyre për vizitën në Paris dhe vlerësuan se janë të kënaqur me këtë vizitë, si dhe me gatishmërinë e Francës për të ndihmuar proceset aktuale në Kosovë.