Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 19.02.2007
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të enjten, më 22 shkurt.
Në këtë seancë për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për letërnjoftimin, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen Projektligji për shëndetësinë publike dhe ai për Sigurimet shëndetësore.
Megjithëkëtë, çështja e cila pritet më me interesim në këtë seancë do të jetë Raporti i Komisionit Hetimor për të gjeturat faktike në Kuvendin e Kosovës, sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm. Raporti i Komisionit hetimor u është shpërndarë deputetëve, të cilin kryetari i Komisionit do ta praqesë në seancë, kurse më pastaj mund të debatohet për të, varësisht nga interesimi i deputetëve.
Po në këtë seancë pritet të shqyrtohet edhe propozimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, sikurse edhe propozimi i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për formimin e Këshillit të Kosovës për Ujërat.
Sa i përket nismës së Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Miniera, Transport dhe Telekomunikacion për hartimin e Projektligjit për Rregullatorin e ujërave të zeza dhe mbeturinave, Kryesia ka konstatuar se duhet parë nëse e ka në plan Qeveria e Kosovës hartimin e një projektligji të tillë, përkatësisht Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe e Ambientit.
Kryesia e ka tumirë kërkesën e OJQ–së, Iniciativa Evropiane e Kosovës, për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovës ta vizitojnë ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.