Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti zëvendësshefin e UNMIK-ut , Steven Schook
, 21.02.2007
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha dhe zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook në takimin e sotëm kushtuar proceseve aktuale në Kosovë dënuan fuqishëm aktin e shpërthimit në lagjen “Dodona” në Prishtinë, ku u dëmtuan disa vetura të UNMIK-ut.
Berisha dhe Schook vlerësuan se çdo lloj i dhunës që mund të përdoret në këto momente delikate, por edhe vendimtare për Kosovën , është i dëmshëm dhe shumë i rrezikshëm për proceset dhe perspektivën e Kosovës. Kryeparlamentari Berisha ka shfaqur bindjen se organet e rendit do të zbardhin rastin dhe do të jenë në nivelin e duhur për të pamundësuar çfarëdo akti që kërcënon proceset, punën dhe integritetin e institucioneve e veçanërisht jetën dhe pronën e qytetarëve të Kosovës .
Pjesa më e madhe takimit , që është takim i rregullt pune, iu kushtua bashkëpunimit të Kuvendit dhe Zyrës Ligjore të UNMIK-ut ,përkatësisht mundësive të ngritjes së efikasitetit në lëmin e legjislacionit. Kryeparlamentari Berisha dhe Steven Schook kanë konstatuar me kënaqësi se kohën e fundit, pas shpeshtimit të takimeve është përshpejtuar edhe procedura e shpalljes së ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës. Shefi i Zyrës së UNMIK-ut, Aleksandër Borg Olivier, i pranishëm në këtë takim theksoi se javën e kaluar janë shpallur nëntë ligje, ndërsa gjatë dy javëve të ardhshme do të nënshkruhen edhe disa ligje të tjera për të cilat parimisht nuk ka probleme, pos të ndonjë rasti kur procedurat duhet të presin edhe komentet e FMN-së.
Zyrtarët e UNMIK-ut theksuan se shumë shpejt do të përfundojnë edhe draftin e korrigjimeve në procedurën e zgjedhjes së Ombudspersonit, në mënyrë që kjo çështje e rëndësishme të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Shcook e kryeparlamentari Berisha u pajtuan që të ruhet ky intensitet i bashkëpunimit dhe komunikimit për çështje të ligjeve .