Lajmet e fundit
Hydajet Hyseni po mer pjesë në Samitin Botëror për Paqe Universale, në Seul
, 22.02.2007
Në mesin e 300 pjesëmarrësve nga 150 vendeve të botës, në Samitin Botëror për Paqe Universale, që ka filluar punimet në Seul të Koresë, po marrin pjesë edhe dy përfaqësues nga Kosova: deputeti Hydajet Hyseni dhe ish deputeti, Ismail Kurteshi. Në këtë samit ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë burrështetas, qeveritarë, parlamentarë e liderë fetare, sot është folur edhe për Kosovën.
Përfaqësuesi i Këshillit kosovar për Paqe, Hydajet Hyseni, ka folur në sesionin e samitit: Parlamentaret për paqe si dhe në grupin punues të programeve të parlamentareve për aktivitetet e ardhshme për paqen.
Pasi ka paraqitur një tablo të gjendjes se përgjithshme në Kosovë, të shkaqeve të problemit dhe zhvillimeve aktuale, ai ka theksuar rëndësinë e procesit të finalizimit të zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe veçmas përkrahjes që i duhet Kosovës nga bota demokratike e paqedashëse. “Kosovës i duhet paqe e qëndrueshme, kurse e tille mund të jete vetëm, paqja e drejte, paqja që zgjidh problemin në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj”, ka thënë Hyseni. Pavarësia e Kosovës, ka nënvizuar ai, nuk është zgjidhja më e mirë për shqiptarët, por është zgjidhje kompromisi, nën të cilin nuk ka fare zgjidhje. Kosova, ka spikatur parlamentari kosovar, do ta justifikojë ndihmën e dhënë, pos tjerash, edhe duke ndërtuar një të ardhme të lirë e të sigurt dhe perspektivë për të gjithë popujt dhe qytetarët që jetojnë dhe duan të jetojnë në Kosovën e Re.
Fjala e zotëri Hysenit është pritur mirë nga pjesëmarrësit e Samitit botëror për Paqen Universale, i cili i vazhdon punimet.