Lajmet e fundit

Komemoracion i punonjësve të Kuvendit të Kosovës për kolegun, Defrim Krasniqi

, 07.03.2007




Punonjësit e Kuvendit të Kosovës, deputetë dhe pjesëtarë të stafit mbështetës të Kuvendit kanë mbajtur sot mbledhje komemorative për të nderuar kujtimin për kolegun e tyre të ndjerë Defrim Krasniqi, zyrtar i lartë në Departamentin Ligjor në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë komemoracion, në të cilin merrnin pjesë edhe bashkëshortja, fëmijët dhe familjarë të tjerë të të ndjerit, Sekretari Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka spikatur shëmbëlltyrën njerëzore të Defrimit, raportet shumë të mira që kishte me kolegë dhe bashkëpunëtorë, si dhe aftësitë e shkëlqyera profesionale dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në punë.

Jemi të pikëlluar për vdekjen e parakohshme të Defrimit, por jemi krenar që punuam me te, ka theksuar Krasniqi.

Më pastaj një grup i madh punonjësish të Kuvendit të Kosovës ka marrë pjesë në varrimin e të ndjerit në fshatin Tërpezë të Malishevës.

Në emër të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, për shëmbëlltyrën e Defrim Krasniqit ka folur këshilltari i kryeparlamentarit, Ramë Manaj.

Përgjegjësi i Projektit për Mbështetje Kuvendit, Hugues de Courtivron, ka lexuar letrën e Sekretarit Gjeneral të Asamblesë Nacionale të Francës, me të cilën në emër të katër parlamenteve që e mbështesin Kuvendin e Kosovës, i shprehet ngushëllime kryeparlamentarit Berisha, administratës së Kuvendit dhe familjes Krasniqi.

Komemoracion i punonjësve të Kuvendit të Kosovës për kolegun, Defrim Krasniqi