Lajmet e fundit

Nga vizita e kryeparlamentarit Berisha në Strazburg

, 13.03.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij, gjatë vizitës në Stasburg është takuar me kryetarin e Parlamentit të Evropës, Hans – Gert Pottering. Temat kryesore të bisedës kanë qenë bashkëpunimi me Parlamentin Evropian, roli i Parlamentit të Evropës dhe i Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe çështja e Rezolutës, e cila pas Komisionit të Jashtëm do të shtrohet për votë finale në Parlamentin Evropian, në fund të këtij muaji.

Në një pritje miqësore z. Pottering u interesua për zgjidhjen e statusit të Kosovës, sipas planit të presidentit Ahtisari, si dhe për mënyrën se si do të kalojë propozimi i Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kryetari i Kuvendit, z. Berisha, në këtë takim prezantoi elemente të shumta mbrojtëse për të drejtat e minoriteteve . Ai theksoi se zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk paraqet precedent për rajonet e tjera, por është rast i veçantë. Kosova e pavarur, tha ai, do të jetë shtet i qytetarëve të saj të barabartë, faktor stabiliteti në rajon dhe me marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit. Kryeparlamentari Berisha foli për përcaktimin e qartë të Kosovës për integrimet evropiane.

Zotëri Pottering theksoi se Kosova dhe tërë rajoni kanë një të ardhme evropiane. Sa më shumë bashkëpunim e raporte të mira që keni, do të jetë më lehtë për ne dhe për ju, tha z. Pottering.

Kryetari i Parlamentit Evropian, z. Pottering, premtoi se do t’i bëjë vizitë Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës, sa po ta lejojnë angazhimet e tij dhe agjendat e punës në Parlamentin Evropian. Ai e ftoi kryeparlamentarin Berisha që të nënshkruhet në Librin e vizitorëve të Parlamentit Evropian.

Kryeparlamentari Berisha u takua sot edhe me kryetarin e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian, Jacek Saryusz-Wolski. Një bisedë e përzemërt u zhvillua me dy deputete nga grupi i të gjelbërve, Angelika Beer dhe Gisela Kallenbach.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës takoi po ashtu edhe autorin dhe raportuesin e Rezolutës për të ardhmen e Kosovës, Joost Lagendijk, të cilin e ka falënderuar për formulim të saktë në kërkesën e pavarësisë për Kosovën. Fakti se Rezoluta nuk kaloi mbrëmë për një votë, nuk është mossukses, përkundrazi, është hap i rëndësishëm në drejtim të duhur, ka theksuar Berisha.

Zotëri Lagendijk u shpreh optimist se zgjidhja e propozuar deri në Seancën Plenare që do të mbahet në fund të muajit, do ta ketë edhe emrin dhe shtoi se Rezoluta, kështu siç është miratuar, ka përmbajtje të mirë. Ai ka përkrahur plotësisht propozimin e z. Ahtisari dhe ka rikonfirmuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.

Takimet e paradites janë zhvilluar edhe me grupe të deputetëve nga disa grupacione politike, të cilat kanë përkrahur formulimin “pavarësi për Kosovën” në raportin e z. Lagendijk.

Kryeparlamentari Berisha i vlerësoi shumë të dobishme takimet dhe sugjerimet që u ofruan nga eurodeputetët Doris Pack dhe Berndt Posselt, të dy njohës të mirë të rrethanave në Kosovë.

Në këtë frymë kaloi edhe takimi me dhjetë eurodeputetë, përfaqësues të disa vendeve nga Grupi i Liberaldemokratëve. I tërë grupi i Libertaldemokratëve ka votuar propozimin e paraqitur si kompromis nga z. Lagendijk. Në këtë grup ishte e panevojshme të bëheshin shpjegime të detajizuara, sepse ata i dinë dhe i thonë publikisht angazhimet e tyre në mbështetje të Kosovës. Fokus i bisedës me këtë grup ishte periudhe e passtatusit në Kosovë, garancitë për minoritetet, roli i Bashkimit Evropian dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës.

Kryetari i Kuvendit falënderoi këta eurodeputetë për angazhimet e tyre dhe theksoi rëndësinë bashkëpunimit të mëtejmë.

Grupi i Socialistëve në Parlamentin Evropian ka votuar kundër formulimit “pavarësi” e “sovranitet”, por sipas tyre kjo është bërë për shkak se i takon z Ahtisari të bëjë propozimin e jo Parlamentit Evropian. Pikërisht për këto dallime në qasje dhe hezitimeve të tjera, takimi me këtë grup ishte mjaft i rëndësishëm dhe me interes të veçantë. Në këtë frymë kryetari i Kuvendit të Kosovës i takoi tre drejtuesit e këtij grupi: z Hannes Swoboda, Csaba Sandor tabajdi dhe z. Libor Rouqek. Të gjithë këta treguan se nuk kanë ndonjë pozicionim të qartë kundër Kosovës, por ata duan zgjidhje për tërë popujt dhe për tërë rajonin.

Berisha ka sugjeruar në këtë takim se ka nevojë për më shumë takime dhe informacione, sepse në disa qarqe të caktuar ende ka mosnjohje të proceseve në Kosovë dhe për Kosovën.

Pa përjashtim, në të gjitha takimet e zhvilluara sot në Strazburg, vizita u vlerësua e rëndësishme. Ishte ky rast i mirë për të shpjeguar hollësi për zhvillimet në Kosovë, për Kuvendin e Kosovës, për përmbushjen e standardeve për status, për garancitë që u ofrohen minoritete, dhe mbi të gjitha, për tu përgjigjur në të gjitha aspektet që ende janë burim i hezitimeve në drejtim të statusit të Kosovës.

Në të gjitha takimet që pati sot kryeparlamentari Berisha falënderoi të gjithë ata që u angazhuan për Rezolutën për Kosovën dhe bëri thirrje që në Seancën Plenare të Parlamentit Evropian të votohet me emër të saktë për pavarësinë re Kosovës, duke shfaqur bindjen se parlamenti Evropian do ta bëjë këtë.