Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 14.03.2007
Anëtarët e Grupit Negociator të Kosovës: presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kryeministri Agim Çeku dhe Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së ( kryeparlamentari Kolë Berisha dhe kryetari i ORA-s, veton Surroi gjenden për vizita zyrtare jashtë vendit) u janë drejtuar sot deputetëve, në seancën plenare të Kuvendit, lidhur me përmbylljen e bisedimeve për statusin e vendit.
Presidenti Sejdiu, por edhe anëtarët e tjerë të Grupit Negociator të Kosovës, kanë lavdëruar unitetin brenda Grupit dhe përkushtimin me të cilin kanë punuar në procesin e bisedimeve për statusin, që ka zgjatur katërmbëdhjetë muaj. Ata kanë qenë të prerë se në rekomandimin e presidentit Ahtisari për Këshillin e Sigurimit të OKB-së përfshihet pavarësia e Kosovës dhe janë shprehur të bindur se propozimi i Ahtisarit do të kalojë në KS të OKB-së.
Vëmendje e veçantë në fjalët e anëtarëve të Grupit Negociator u është kushtuar të drejtave të gjera dhe të garantuara të minoriteteve, të cilat arrijnë deri në mbipërfaqësim.
Të gjitha kompromiset, në procesin e bisedimeve për statusin, janë bërë në funksion të krijimit të shtetit të Kosovës, kanë thënë Sejdiu, Çeku dhe Thaçi, të cilët kanë theksuar se me pavarësinë e vendit po realizohet ëndrra e kamotshme e popullit tonë dhe janë shprehur optimistë për perspektiva të mira zhvillimore të Kosovës dhe anëtarësim të vendit në Unionin Evropian dhe në NATO.
Në përfundim, kryesuesi i seancës, anëtari i Kryesisë Sabri Hamiti, por edhe shefat e grupeve parlamentare: Alush Gashi (LDK), Jakup Krasniqi (PDK), Gjylnaze Syla (AAK), Teuta Sahatqija (ORA), Xhezair Murat ( G.P 6+) dhe Gjergj Dedaj (G.P për Integrim), e kanë mbështetur dhe e kanë përgëzuar Grupin Negociator të Kosovës për përmbylljen me sukses të procesit për statusin e Kosovës.
Ka pasur, ndërkaq edhe zëra se nuk duhet të na kaplojë euforia dhe se duhet pritur vendimin final të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për statusin e Kosovës.