Lajmet e fundit

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës u nis në një vizitë dyditëshe në Bundestagun Gjerman

, 18.03.2007




Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Kolë Berisha, në përbërje të të cilit janë edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit: Sabri Hamiti, Xhavit Haliti e Gazmend Muhaxheri, u nis sot në një vizitë dyditëshe në Bundestagun Gjerman.

Në prag të nisjes për në Gjermani, në një prononcim për media, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se gjatë qëndrimit në Bundestagun Gjerman do të diskutohen çështje të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Bundestagut Gjerman. Temë bisede do të jetë edhe finalizimi i statusit të Kosovës. Në kuadër të temave të tjera do të diskutohet për format e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar, do të këmbehen përvoja, si dhe do të identifikohen fushat për të cilat do të jetë me rëndësi asistenca e ekspertëve nga Bundestagu Gjerman për punën e mëtejme të Kuvendit të Kosovës.

Bundestagu Gjerman është njëri nga anëtarët e konsorciumit të katër parlamenteve evropiane që e ndihmojnë Kuvendin e Kosovës. Kjo vizitë organizohet nga projekti “Mbështetje e mëtejme për Kuvendin e Kosovës”. Vizita në Bundestagun Gjerman vjen pas disa vizitave të kryeparlamentarit në disa parlamente të tjera evropiane.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës u nis në një vizitë dyditëshe në Bundestagun Gjerman