Lajmet e fundit

Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar priti drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian për zgjerim të UE-s, z. Pierre Mirel

, 21.03.2007




Komisioni Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike ka pritur sot drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin për Zgjerim të Unionit Evropian, z. Pierre Mirel, dhe z. Christoph Stock e z. Khaldoun Sinno, nga Zyra për Kosovën në Komisionin Evropian.

Nënkryetari i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, Bajram Rexhepi, ka theksuar në takim se agjenda evropiane është prioritet i institucioneve të Kosovës dhe se për këtë synim kanë investuar të gjitha qeveritë e Kosovës, pas luftës. Aktualisht, gjithë vëmendja e kosovarëve është kthyer në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku pritet të vendoset për statusin e Kosovës, por se pas përcaktimit të statusit të vendit tonë, duam që Kosova ta nënshkruajë marrëveshjen e asocim-stabilizimit, ka thënë Rexhepi.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian për Zgjerim të Unionit Evropian, z. Pierre Mirel, ka lavdëruar përpjekjet e Kosovës drejt integrimeve evropiane, por ka theksuar gjithashtu se bashkë me agjendën evropiane shkojnë implementimi i statusit dhe ngritja e disa institucioneve dhe e kapaciteteve të nevojshme njerëzore. Ai ka thënë se Kosova duhet të ndihmohet edhe më tej, në mënyrë që, në fazën sa më të shkurtër pas statusit, t’i plotësojë kushtet e paraanëtarësimit, siç i kanë plotësuar vendet tjera, të cilat sot janë anëtare të UE-së. Mirel u ka sugjeruar parlamentarëve kosovarë që të përshpejtohet puna për miratimin e ligjeve për implementimin e statusit si dhe të mbahet kujdes që të gjitha ligjet e miratuara të jenë kompatibile me legjislacionin evropian, në mënyrë që të lehtësohet rruga për në UE. Ai, ndërkaq, ka porositur që të gjitha projektligjet, të cilat kalojnë për miratim në Kuvendin e Kosovës, të shoqërohen me koston financiare të implementimit të tyre.

Edhe nënkryetari tjetër i Komisionit për Bashkëpunim me Jashtë, Xhezair Murat, por edhe anëtarët e tjerë, Jakup Krasniqi, Teuta Sahatqija dhe Alush Gashi, kanë theksuar se Kosova nuk ka agjendë tjetër, pos asaj evropiane dhe kanë kërkuar që vendi ynë të mbështetet në rrugën e pavarësisë dhe pastaj edhe të anëtarësimit në Unionin Evropian.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar se pas përcaktimit të statusit, duhet parë mundësia e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që duam t’i vizitojnë vendet e UE-së.

Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar priti drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian për zgjerim të UE-s, z. Pierre Mirel