Lajmet e fundit
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës u kthye nga vizita dyditëshe në Bundestagun Gjerman
, 21.03.2007
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari Kolë Berisha, në përbërje të të cilit ishin edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit: Sabri Hamiti, Xhavit Haliti e Gazmend Muhaxheri, u kthye sot nga vizita dyditëshe në Bundestagun e Gjermanisë, vizitë kjo e organizuar nga projekti “Mbështetje e mëtejme për Kuvendin e Kosovës”.
Kryeparlamentari Berisha u ka deklaruar gazetarëve në Aeroportin e Prishtinës se në Bundestagun Gjerman kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy parlamenteve, si dhe për mbështetjen e mëtejme të Kuvendit të Kosovës. Në takimet që janë zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me Komisionin për Politikë të Jashtme, me nivele të ndryshme të politikës gjermane, kemi kërkuar përkrahjen e tyre për çështjen e Kosovës dhe natyrisht se kemi garancione se ata do ta ndihmojnë përshpejtimin e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, ka spikatur Berisha.
Pyetjeve të gazetarëve për orarin e takimeve të delegacionit të parlamentarëve të Kosovës në Berlin u janë përgjigjur edhe anëtarët e Kryesisë: Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe Gazmend Muhaxheri, të cilët kanë theksuar se pos takimeve me udhëheqjen e Bundestagut Gjerman, kanë pasur takime të vlefshme edhe me komisionet parlamentare dhe me administratën e Bundestagut.
Në të gjitha takimet, kanë pohuar ata, është kërkuar që Gjermania dhe vendet e tjera të Unionit Evropian të ndikojnë në Këshillin e Sigurimit dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës. Qëndrimi zyrtar i Gjermanisë, kanë sqaruar anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, është mbështetja e Dokumentit të Ahtisarit.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës ka marrë premtime për mbështetje teknike dhe juridike. Është vlerësuar sidomos ndihma që do të ofrohet për krijimin e një Njësie për hulumtimin dhe standardizimin e ligjeve.