Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti Ambasadorin Volfgang Petriq

, 23.03.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha priti, në një takim ambasadorin Volfgang Petriq, përfaqësues i përhershëm i Austrisë në selinë e OKB-së në Gjenevë.
Në këtë takim u këmbyen opinione për zhvillimet aktuale në Kosovë në pritje të definimit të statusit final të Kosovës e veçanërisht u bisedua për sfidat e passtatusit me të cilat do të ballafaqohet Kosova. Kryetari i Kuvendit falënderoi z. Petriq për angazhimet e tij të vazhdueshme për Kosovën dhe e njoftoi për përgatitjet e Kuvendit që të përballet me punën intensive gjatë muajve në vazhdim. Lidhur me mundësitë për ndryshime qeveritare, kryetari Berisha tha se nuk do të ketë ndryshime dhe se deri në zgjedhje do të vazhdojë punën koalicioni i tashëm qeverisës.

Kryeparlamentari Berisha iu përgjigj pozitivisht ftesës për pjesëmarrje në një konferencë kushtuar Kosovës, e cila organizohet në afërsi të Nju - Jorkut nga fondacioni “ Rokfeller Brothers”. Konferenca mbahet më 13 prill.

Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, të subjekteve politike dhe të shoqërisë civile nga Kosova, si dhe personalitete nga vende të ndryshme të botës që kanë përvoja nga periudhat e transicionit . Konferenca hapet nga ish - presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton.

Ambasadori Petriq vuri në dukje se konferenca ka për synim të shqyrtojë dhe të hartojë një strategji veprimi për 120 ditët e para pas statusit. Vëmendje kryesore në këtë plan do t’ u kushtohet çështjeve të kushtetutës dhe të legjislacionit, decentralizimit dhe minoriteteve , çështjeve të ekonomisë dhe problemeve sociale, integrimit rajonal dhe aspekteve të sigurisë.

Kryeparlamentari Berisha priti Ambasadorin Volfgang Petriq