Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa
, 10.04.2007
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadergjonaj, nënkryetare e Komisionit, shqyrtoi sot Projektligjin për kimikate nr. 02-2812-L116/1 me raportin e komisionit funksional – Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, me amendamente, si dhe Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. L/109 me raportin e komisionit funksional – Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, me amendamente.
Projektligjet shoqëroheshin edhe me deklarata përkatëse financiare nga ana e sponzoruesit. Në projektligje ishin paraparë edhe mjetet për nevoja të organeve përkatëse që do të themelohen në mbështetje të këtyre projektligjeve, madje ato ishin paraparë edhe në Buxhetin e vitit 2007. Duke pasur parasysh të gjitha këto Komisioni përkrahu procedimin e mëtejmë të këtyre projektligjeve në shqyrtim të dytë ( miratim) në Kuvend.
Komisioni u njoftua edhe me propozim amendamentet në Projektligjin për TVSH, të përgatitura nga referuesi i Komisionit për këtë Projektligj, z. Lutfi Zharku. Duke ditur rëndësinë e madhe të këtij projektligji dhe reflektimet e mëdha në Buxhetin e Kosovës, por edhe në zhvillimin e veprimtarive shoqërore e ekonomike, Komisioni formoi një grup punues, i cili nen për nen do të shqyrtojë zgjidhjet e ofruara në këtë projektligj, në mënyrë që pastaj Projektligji të shqyrtohet në këtë Komision, ku do të merrnin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.