Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 13.04.2007




Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të cilën e ka drejtuar anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë u janë përgjigjur (për një orë rresht) ministrat: Idriz, Selmanaj, Shatri, Ahmeti, Gjini dhe Çeku.

Në të njëjtën seancë është shqyrtuar për herë të parë Projektligji për bujqësinë organike, kurse për herë të dytë janë shqyrtuar: Projektligji për transfuzionin e gjakut dhe të produkteve të tij, ai për Emrin personal, dhe ai për Numrin personal. Deputetët e Listës Serbe, të cilët vazhdojnë të mos marrin pjesë në seancat plenare, kishin kërkuar, nëpërmjet një letre, që të shtyhet shqyrtimi i Projektligjit për emrin personal dhe i Projektligjit për numrin personal, por deputetët e pranishëm në seancë, njëzëri kanë votuar që të shqyrtohen dhe miratohen këto dy projektligje.

Në vazhdim të seancë deputetët kanë shqyrtuar Raportin e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e Konsumatorit, të cilin e ka paparaqitur kryetari i komisionit, Ibush Jonuzi. Deputetët, pasi kanë shprehur fjalë miradije për këtë raport, e kanë miratuar atë bashkë me rekomandimet, duke kërkuar nga ministria përkatëse që t’i zbatojë ato.

Në fund deputetët kanë shqyrtuar edhe Raportin e Komisionit Rregullator për Prokurim Publik për vitin 2006, të cilin e ka paraqitur kryesuesi i këtij komisioni, Iljaz Duli. Megjithë kritikat për raportin nga ana e një numri deputetësh nga radhët e opozitës, ai është miratuar me shumicë votash.

Nga punimet e seancës plenare