Lajmet e fundit
Kryeparlamntari Krasniqi priti një delegacion nga Bundestagu Gjerman
, 03.04.2008
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri: Rrustem Muafa, Shkumbin Demaliaj, Agim Veliu, Naim Maloku dhe Gani Geci, ka pritur sot një delegacion nga Bundestagu Gjerman, anëtarë të Komisionit për Mbrojtje, i cili kryesohej nga znj. Ulrike Merten, kryetare e Komisionit Në delegacionin gjerman ishin deputetët: Hans Raidel, Marcus Weinberg, Rainer Arnold, Paul Schäfer, Die Linke,.Winfried Nachtwei dhe Die Grünen.
Kryeparlamentari Krasniqi, duke i dëshiruar mirëseardhje delegacionit gjerman në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka falënderuar mbështetjen e madhe të popullit dhe të shtetit gjerman për Kosovën dhe popullin e saj, e cila në Kosovë vlerësohet lart. Duke shpjeguar punën që ka bërë Kuvendi pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, si shqyrtimin për herë të parë të njëzet e tetë projektligjeve dhe miratimin e nëntëmbëdhjetë ligjeve nga Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisarit, nga tridhjetë e katër sa dalin nga ky plan, Krasniqi ka pohuar se shumë shpejtë do të miratohet edhe Kushtetuta e vendit, kurse më pastaj edhe pesëmbëdhjetë ligjet e tjera nga Pakoja e Ahtisarit. Ai ka shprehur vullnetin e Kuvendit, të institucioneve të tjera dhe të popullit të Kosovës për të krijuar një partneritet të ri e të fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Krasniqi i ka vlerësuar interesante për Kosovën përvojat gjermane për kontrollin parlamentar të mekanizmave të sigurisë, prandaj ka shprehur gatishmërinë e Kuvendit për të thelluar bashkëpunimin me Bundstagun Gjerman.
Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Bundestag gjerman, znj. Ulrike Merten, ka shfaqur kënaqësinë që vjen për vizitë në Kosovën e Pavarur, duke shtuar se anëtarët e këtij komisioni e kanë vizituar Kosovën edhe në rrethana të vështira, që nga viti 1989. Ajo e ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës dhe kryetarin e tij, për, siç është shprehur ajo, një mal me punë të mëdha që ka kryer dhe për udhëheqjen e procesit të vështirë të pavarësimit. Zonja Merten ka shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur Kuvendin e Kosovës, sidomos Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri, duke spikatur se Kosova duhet të bëhet shtet funksional edhe në planin e sigurisë.
Parlamentarët gjermanë u kanë shtruar pyetje të shumta kuvendarëve të Kosovës për nevojat më urgjente të mbështetjes, kurse mikpritësit kanë theksuar se Gjermania e ka mbështetur Kosovën para, gjatë dhe pas lufte dhe janë shprehur të bindur se ajo do të vazhdojë ta mbështesë shtetin e ri të Kosovës. Në këtë vështrim ata kanë vlerësuar se pos pranimit të më shumë studentëve nga Kosova në universitet gjermane, Kosova ka nevojë për mbështetje edhe gjatë krijimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë dhe të mekanizmave të tjerë të sigurisë në Kosovë.