Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

, 17.04.2008




Në fillim të seancës së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, zëvendëskryeministri Ramë Manaj dhe ministrat: Fatmir Limaj, Alush Gashi, Idriz Vehapi dhe Ahmet Shala u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim seanca ka proceduar me shqyrtimin e ligjeve. Projektligjin për ndërmjetësim e ka prezantuar zëvendëskryeministri Ramë Manaj, kurse Projektligjin për sponsorizimet në kulturë, rini dhe sporte dhe Projektligjin për Ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”dhe për ansamblet e tjera, i ka prezantuar zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lirie Kajtazi.

Të tri projektligjet janë miratuar në parim. Për shqyrtimin dhe amendamentimin e tyre, deri në kohën e shqyrtimit të dytë, janë caktuar edhe komisionet kryesore dhe ato funksionale të Kuvendit.

Deputetët, ndërkaq, kanë mbështetur kërkesën e Grupit parlamentar të SLS-së për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit për Punë të Jashtme. Në vend të z. Dragisha Miriq anëtare e këtij komisioni është zgjedhur znj. Radmila Vujoviq.

Nga seanca plenare e Kuvendit