Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti përfaqësuesin personal të Solanës në Kosovë, Gentilini përfaqësuesin e ri, Sohlstom
, 02.12.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot në takim lamtumirës përfaqësuesin personal për Kosovë të kryediplomatit të Unionit Evropian, Havier Solanës, Fernando Gentilinin, i cili shoqërohej nga përfaqësuesi i ri personal i Solanës, Torbjorn Sohlstom.
Kryeparlamentari Daci ka vlerësuar punën e zotëri Gentilinit në Kosovë dhe i ka uruar atij punë të suksesshme në detyrën e re në Bruksel dhe angazhim të përhershëm për ta shkurtuar rrugën nga Kosova në kryeqytetin e Unionit Evropian. Ai, madje, ka theksuar se diplomatët që kanë punuar në Kosovë, vazhdojnë ta ndihmojnë vendin tonë edhe nga pozitat me përgjegjësi që kanë marrë në New York e në Bruksel.
Edhe në këtë takim Daci ka përkujtuar se pas ardhjes së zotit Petersen, institucionet e Kosovës nuk kanë pasur as edhe një fërkim të vetëm me UNMIK-un dhe ka shfaqur shpresën se në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare do të zgjidhet çështja statusit, konform vullnetit të popullit.
Përfaqësuesi personal i Havier Solanës në Kosovë, Fernando Gentilini ka vlerësuar të arriturat e Kosovës, sidomos punën e legjislativit të vendit, në planin e miratimit të ligjeve dhe bashkëpunimin me kryeparlamentarin Daci. Ai ka pohuar se edhe në Bruksel do të merret me Kosovën dhe se gjithmonë këtë vend do ta ndjejë të afërt.
Përfaqësuesi i ri personal i Solanës në Kosovë, Torbjorn Sohlstom, i cili vjen nga Suedia, ka shfaqur shpresën që do ta vazhdojë misionin e suksesshëm në Kosovë. Ai ka pohuar se gjatë muajve të ardhshëm do të ketë shumë punë, jo vetëm për institucionet Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Mu për këtë, ai ka kërkuar nga zotëri Daci takime sa më të shpeshta, në funksion të informimit nga dora e parë dhe ndihmës për përfundimin me sukses të bisedimeve për përcaktimin e statusit të Kosovës.