Lajmet e fundit

Shqyrtim publik për Projektligjin për ushqimin

, 05.12.2005




Komisioni për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, ambient dhe planifikim hapësinor, si dhe Komisioni për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale të Kuvendit të Kosovës, që bashkërisht i kryesuan z. Rifat Krasniq dhe z.-nja Fatmire Mulhaxha–Kollçaku, kryetarë të komisioneve të përmendura, mbajtën sot një debat publik lidhur me Projektligjin për ushqimin, i cili, në parim, u miratua nga Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 21.11.2005.

Në debatin e theksuar publik, përveç anëtarëve të dy komisioneve të lartë theksuara, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, të Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me në krye zëvendës ministrin, z. Tomë Hajdaraj, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe përfaqësuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, të Inspeksionit Sanitar, të Agjencisë Kosovare të Veterinarisë, si dhe disa përfaqësues të ndërmarrjeve private, siç janë VITA, BONITA dhe DEVOLLI.

Duke diskutuar për këtë Projektligj, të gjithë të pranishmit u pajtuan që për Kosovën është më se i nevojshëm një ligj nga kjo lëmë, i cili, në një plan afatgjatë, rregullon si raportet ligjore, ashtu edhe disa raporte të tjera funksionale në këtë fushë. Siç u tha, në situatën e tanishme në Kosovë nuk ka kurrfarë kontrolli të cilësisë së ushqimit, të prodhimeve ushqyese dhe të përpunimeve të tjera të ushqimit. Pas lufte në Kosovë është importuar një sasi e madhe e ushqimit, e prodhimeve të ushqimit dhe e përpunimeve të ushqimit të cilësisë së dyshimtë, që drejtpërsëdrejti ndikojnë negativisht në shëndetin e gjithmbarshëm të popullatës së Kosovës. Për këtë arsye duhet që sa më parë (ndonëse pat diskutues të cilët theksuan që ka një vonesë në nxjerrjen e këtij Ligji) të miratohet ky Ligj, në mënyrë që, sado pak, të zbutet trendi negativ që po mbretëron tani në Kosovë, i cili në të ardhmen do t’i rregullojë raportet në këtë fushë, për të mirën e të gjithëve.

Në diskutimet e mëtejshme mbizotëroi mendimi se me këtë Ligj duhet të rregullohen edhe disa çështje fundamentale, që dalin nga Projektligji, siç janë rëndësia dhe roli i Agjencisë për kontrollin e ushqimit, ngritja e laboratorëve të veçantë për kontrollin e ushqimit dhe të prodhimeve ushqyese në Kosovë, dhënia e autorizimeve të veçanta inspeksioneve sanitare, forcimi i punës së Shërbimit të veterinarisë të Kosovës e të tjera.
Shqyrtim publik për Projektligjin për ushqimin