Lajmet e fundit
Deputeti Hamiti priti parlamentarin kroat Minica
, 07.12.2005
Kryetari i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-atlantike, Sabri Hamiti, ka pritur sot kryetarin e Komisionit për Integrime Evropiane të Kroacisë, zotëri Neven Minica dhe ka biseduar me të për bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve të dy vendeve dhe komisioneve të tyre gjegjëse. Është vlerësuar se është me interes për Kosovën rruga e Kroacisë për anëtarësim në Unionin Evropian dhe përvojat kroate në këtë rrugë, aq më parë kur Kroacia në fillim të vitit merr kryesimin e Konferencës së Komisioneve Parlamentare të Rajonit për Integrime Evropiane, anëtar i së cilës do të jetë edhe Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane të Kroacisë, Neven Minica është shprehur se parlamenti i vendit të tij është shumë i interesuar të fuqizojë rolin e tij në gjithë procesin e integrimeve evropiane dhe ka shtuar se gjithë përvojën e fituar pesë-gjashtë vjetët e fundit për përshtatje kushteve për anëtarësim në UE, duan t’ ua transmetojnë vendeve të tjera të rajonit, të cilat kanë marrë rrugën e integrimeve.
Ai pas takimit u ka deklaruar gazetarëve se Kosova ka marrë rrugën për në Unionin Evropian, rrugën e përshtatjes për anëtarësim, që i ndihmon shumë edhe bisedimeve për çështjen e statusit, zhvillimit shoqëror-ekonomik të vendit etj.