Lajmet e fundit

Seanca Plenare e Kuvendit me 15 dhjetor

, 08.12.2005




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetari Kuvendit, ka vendosur që seanca e ardhshme të mbahet më 15 dhjetor dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Do të shqyrtohen për herë të dytë i Projektligjit për Provimin e Jurisprudencës dhe ai për Gjuetinë. Për herë të parë, ndërkaq, do të shqyrtohen Projektligji për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës për vitin 2006, si dhe tre projektligje për kulturën dhe arsimin: Projektligji për Veprimtarinë Botuese dhe Librin, ai për Institucionet e Kulturës, ai për Arsimin dhe Aftësimin Privat dhe Projektligji për Operën, Baletin dhe Filharmoninë e Kosovës. Do të shqyrtohen edhe, Projektligji për të Drejtat dhe Liritë e Organizimit Sindikal dhe ai për Inspektoratin e Produkteve të Ndërtimit. Në të njëjtën seancë do të shtrohet edhe çështja e krijimit të Komisionit për Siguri.

Kryesia po në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për procedimin e Projektligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2006, por për shkak të afati të shkurtë deri në fillimin e vitit të ri fiskal, ka vendosur që ky projektligj të miratohet me një lexim.

Kryesia ka shqyrtuar edhe kërkesën e Grupit Parlamentar ORA, për thirrjen e seancës plenare të jashtëzakonshme, në të cilën do të debatohej lidhur me mënyrën e vendimmarrjes për ndërtimin e Qendrës Administrative-protokollare në Gërmi dhe për shpenzimet buxhetore të Kuvendit të Kosovës për periudhën janar–qershor 2005. Kërkesa ishte mbështetur me nënshkrimet e 42 deputetëve, por nuk ka kaluar në Kryesi. Është kërkuar material bazë për debat, para se eventualisht të radhitej për shqyrtim në ndonjërën nga seanca vijuese.

Kyeparlamentari Daci e ka falënderuar deputetin Xhezair Murat për kontributin e dhënë në Kryesi. Në vend të tij, anëtar Kryesie me mandat njëvjeçar, do të jetë deputeti Mahir Yagcilar.

Anëtarët e Kryesisë janë informuar se në mbledhjen fundit të saj është shqyrtuar Rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës të administratës së Kuvendit, por nuk është votuar për te. Pas inkorporimit të vërejtjeve, Rregullorja do të miratohet në Kryesi.

Janë shqyrtuar edhe një varg iniciativash të komisioneve për hartimin e disa projektligjeve, si dhe kërkesa të grupeve e të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve për çështje të ndryshme të funksionimit të Kuvendit.

Seanca Plenare e Kuvendit me 15 dhjetor