Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti PSSP-në, Petersen

, 08.12.2005




Jemi në ndeshjen finale të gjithë asaj që kanë bërë institucionet e Kosovës gjatë katër viteve të shkuara , sidomos në dy vitet e fundit, bashkë me zotin Petersen , u ka deklaruar gazetarëve kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, pas takimit që ka pasur me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovë, zotëri Soren Jessen Petersen.

Daci e ka falënderuar zotin Petersen për punën e madhe që po e bën për Kosovën, për prezantimin e situatës së vërtetë në takimet ndërkombëtare dhe ofrimit të argumenteve. Madje Daci e ka quajtur atë kosovarin më të mirë në këtë situatë.

Në takim është biseduar edhe për procesin e përcaktimit të statusit të vendit dhe për zgjedhjet ardhshme në Kosovë në të gjitha nivelet.

Kryeadministratori i Kosovës, Petersen e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm rolin e Kuvendit të Kosovës në këtë fazë të përcaktimit të statusit dhe unitetin e të gjithë përbërësve të ekipit negociator të Kosovës: Qeverisë, Presidentit, partive politike etj. Ai ka vlerësuar domosdoshmërinë plotësimit të standardeve dhe funksionalizimin e institucioneve të lira e demokratike të vendit.

Në interesimet gazetarëve për çështjen e decentralizimit, Daci është përgjigjur se nuk e sheh ndonjë vështirësi të pakapërcyeshme, kurse Petersen është shprehur se decentralizimi është një makinë e cila jo vetëm i kthen serbët në institucione dhe i integron në shoqërinë e Kosovës, por ai nxit përmbushjen e standardeve për Kosovën dhe zhvillimin e përshpejtuar të vendit.

Kryeparlamentari Daci priti PSSP-në, Petersen