Lajmet e fundit
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa mbajti një dëgjim buxhetor me MTT-në dhe ART-në
, 12.12.2005
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, mbajti sot një dëgjim buxhetor me Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit, në kuadër të shqyrtimeve të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës për vitin 2006. Në mbledhje merrnin pjesë edhe Qemajl Ahmeti, ministër Transportit dhe Telekomunikacionit,Agim Krasniqi, drejtor i Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave , si dhe Anton Berisha, drejtor i Bordit të ART-së.
Duke ditur pozitën jo të lakmueshme të infrastrukturës rrugore në vend, kërkesat e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, në një situatë më të favorshme materiale të Kosovës, do të ishin shumë e shumë më të mëdha. Mirëpo, pasi kjo gjendje nuk lejon investime më të mëdha, ministri Ahmeti kërkoi që për këtë vit të lejohen së paku edhe 5 milionë euro për hartimin e projekteve të ndërtimit ët autostradës Prishtinë- Hani i Elezit, për t’ u ndërlidhur me korridorin e tetë, si dhe të aksit rrugor që do të lidhte Kosovën me Malin e Zi nëpërmjet rrugës Prishtinë- Pejë – Deçan.
Kjo ministri, sipas ministrit Ahmeti, gjatë realizimit të projekteve gjithnjë niset nga ajo që tenderi të mos shpallet deri sa nuk janë zgjidhur çështjet pronësore – juridike në drejtimet nga kalojnë rrugët e ardhshme. Kjo ka bërë që tash për tash të mos përfshihet në planin e ndërtimit të rrugëve, rruga Skenderaj - Vushtrri. Ndërkaq, problemet e kësaj natyre do të zgjidheshin shumë më lehtë sikur Kosova të kishte Ligjin për eksproprijim. Në të mirë të krijimit të një bazë më të mirë të ndërtimit të rrugëve, u propozua që në kuadër të Buxhetit të Kosovës të parashihet edhe Fondi i posaçëm për ndërtimin e rrugëve.
Gjatë shqyrtimit të çështjes së buxhetit të ART-së, vëmendja e diskutuesve u përqendrua në çështjen e statusit të këtij organi, i cili siç u tha, duhet të jetë nën ombrellën e Kuvendit të Kosovës. Këtë mendim, sipas Anton Berishës, e ka edhe ART-ja, sepse këtë e kërkon edhe ligji në fuqi.
Në pajtim me këtë u tha se buxheti i ART-së duhet të aprovohet në vijë të veçantë nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa ART-ja do t’ i raportojë Kuvendit të Kosovës për realizimin e buxhetit.
Të pranishmit ishin unik në konstatimin se Projektligji Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës për vitin 2006 , duhet t’ iu nënshtrohet të njëjtave procedura si edhe projektligjet tjera, pra të ketë dy shqyrtime në Kuvendin e Kosovës.