Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti zëvendësin e Ahtisarit, z. Albert Rohan
, 13.12.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot zëvendësin e emisarit special të OKB-së për statusin e Kosovës, Ahtisari, zotëri Albert Rohan, më të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovës dhe rrugën e bisedimeve për përcaktimin e statusit.
Qëndrim praktik për çështje siç janë decentralizimi dhe të drejtat e pakicave
Në një bisede shumë miqësore, Rohan është shprehur se periudha e ardhshme disamujore do të jetë shumë rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Institucionet e vendit duhet të jenë të përgjegjshme në veprime dhe bashkë me ndërkombëtarët t’i përmbushin standardet për Kosovën. Ai ka sugjeruar që ato duhet të manifestojnë qëndrim praktik për çështje siç janë decentralizimi dhe të drejtat e pakicave.
Shtet qytetar me mundësi të barabarta zhvillimi
Duke shprehur vizionin për të ardhmen e vendit, kryeparlamentari Daci është shprehur se institucionet dhe shumica e popullit të Kosovës synojnë në shtet qytetar, me mundësi të barabarta zhvillimi për të gjithë shtetasit dhe me vëmendje të veçantë për pakicat.
Serbët duhet t’i shfrytëzojnë të drejtat që u takojnë
Sa u përket serbëve, Daci ka thënë se ata duhet ta njohin realitetin e krijuar në Kosovë, duhet të marrin pjesë në institucione dhe në ndërtimin e Kosovës, si dhe t’i shfrytëzojnë të drejtat që u takojnë. Ai ndërkaq ka theksuar se duhet të mënjanohet ndikimi i keq që vjen nga Beogradi për serbët e Kosovës.