Lajmet e fundit
Daci priti kryeparlamentaren e Shqipërisë, Jozefina Topalli
, 13.12.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot në orët e mbrëmjes kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonjën Jozefina Topalli, e cila shoqërohej nga dy nënkryetarët të Kuvendit, Ylli Bufi e Fatos Beja, këshilltarja Linda Ihsani dhe shefi i Zyrës në Prishtinë, Arben Çejku.
Është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe dy parlamenteve, si dhe për rrugën integrimeve evropiane.
Kosova pret mbështetje të fuqishme nga Shqipëria
Kraeparlamentari Daci e ka njoftuar homologen e tij shqiptare me rrjedhat politike dhe ekonomike në Kosovë, me sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe me sukseset e saj të pasluftës. Ai i ka i thënë zonjës Topalli se Kosova e pret mbështetje të fuqishme, konform qëndrimit të Parlamentit të Shqipërisë, i cili ishte në vazhdimësi pro pavarësisë së Kosovës.
Për bashkëpunim të plotë ndërmjet dy parlamenteve
Kreu i legjislativit të vendit është shprehur optimist për bashkëpunimin e plotë ndërmjet të dy parlamenteve, edhe në nivel të komisioneve. Daci ka inkurajuar për bashkëpunim të plotë ekonomik, në interes të dy vendeve tona, por edhe në interes të të gjithë qytetarëve, si dhe ka shprehur kënaqësinë që shqiptarët e kanë një zonjë në njërin nga funksionet kryesore të shtetit.
Parlamenti i Shqipërisë ndjek zhvillimet në Kosovë dhe e mbështet pavarësinë
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, ka shprehur kënaqësi që ndodhet në Kosovë në një moment të rëndësishëm dhe të veçantë për shqiptarët e Kosovës dhe perspektivën e tyre. Ajo ka përkujtuar se vetëm pak ditë më parë edhe Parlamenti i Shqipërisë, i cili i ndjek më vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe ecjen përpara të statusit final, ka nxjerrë një rezolutë në mbështetje të pavarësisë.
Jemi dy vende evropiane
Pas përfundimit të takimit, zonja Topalli u ka deklaruar gazetarëve Shqipëria dhe Kosova janë dy vende evropiane, të cilat janë në rrugë të mirë të realizimit të ëndrrës së tyre. Ajo pastaj ka folur për pavarësinë evropiane të Kosovës, dhe për atë, siç e ka quajtur, sovranitetin e integrimit. Ne në Shqipëri po punojmë fortë, pas tre korrikut, për t’i dhënë Shqipërisë një imazh shumë më pozitiv, siç edhe e meritojmë, por të cilin jo gjithmonë kemi arritur ta transmetojmë tek të tjerët, ka thënë numri një i Parlamentit Shqiptar. Po punojmë fortë, është shprehur ajo, për plotësimin e atyre standardeve, të cilët na duhen në rrugën e integrimit. Po na hapen rrugë për përmbylljen e negociatave për procesin e asocim-stabilizimi.
Dijmë të projektojmë të ardhmen tonë
Shoh se ka një unitet veprimi si në Kosovë edhe në Shqipëri për procesin e integrimit, ka thënë Topalli. Ne shqiptarët dimë të jemi bashkë në momente të veçanta historike, dimë të punojmë bashkë dhe ta projektojmë të ardhmen tonë, ka thënë kryeparlamentarja shqiptare.
Ajo është shprehur optimiste se do të ketë në shtet serioz, për të cilin të gjitha forcat politike po punojnë seriozisht. Do të kemi një Shqipëri të integruar dhe do të takohemi bashkë, atje pjesë e së cilës kemi qenë përherë, ka përfunduar zonja Topalli.