Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës

, 13.12.2005




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, të cilin e kryesoi zonja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kryetare e Komisionit, mbajti sot mbledhjen me ç’rast pikë kryesore e rendit të ditës ishte qëndrimi përkitazi me vazhdimin e punës në Projektligjin për statusin dhe për të drejtat e familjeve të dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të UÇK-s, si dhe të familjeve të viktimave civile të luftës.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit morën pjesë z. Ibrahim Selmanaj, ministër i Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, z.Jakup Krasniçi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-s në Kuvendin e Kosovës dhe znj.Teuta Sahatçiu, shef i Grupit Parlamentar ORA në Kuvendit e Kosovës.

Duke debatuar për pikën kryesore të rendit të ditës, u tha se këtë projektligj Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim, por Zyra ligjore e UNMIK-ut e ka kthyer në ripunim. Gjatë ripunimit të ligjit të grupit të veçantë Projektligji pësoi ndryshime të mëdha, si në titull ashtu edhe në dispozita themelore të tij. Mund të thuhet se kemi një projektligj të ri, që shumë shpejtë do të gjendet në rendin e ditës të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës për miratim.

Në mbledhje, përveç tjerash, u tha se ky projektligj është dashur të nxjerrët shumë kohë më parë, ngase kjo kategori e shfrytëzuesve e ka merituar këtë. Gjithashtu u tha se Qeveria e Kosovës për këtë kategori të shfrytëzuesish ka siguruar 5 milionë euro, por nevojat janë shumë më të mëdha. Prandaj në bashkëpunim me Ministrinë për Ekonomi e Financa duhet të gjenden mundësi për mjete shtesë për financimin e kësaj kategorie të shfrytëzuesve.

Në mbledhje është theksuar nevoja hartimit të një projektligjit për të burgosurit politikë dhe për dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë.
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës