Lajmet e fundit

Deputetet e Kuvendit të Kosovës u takuan me kryeparlamentaren e Shqipërisë, zonjën Jozefina Topalli

, 14.12.2005




Deputetet e Kuvendit të Kosovës pritën sot në një takim kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë , zonjën Jozefina Topalli, e cila shoqërohej edhe nga shefi i Zyrës së Shqipërisë në Prishtinë, Arben Çejku. Në qendër të vëmendjes së këtij takimi ishte bashkëpunimi ndërmjet dy parlamenteve, rrjedhat aktuale shoqërore e politike në Kosovë dhe Shqipëri, e në këtë kontekst edhe pozita e kontributi i gruas si deputete në zhvillimet e gjithmbarshme. Si në fjalët përshëndetëse të Melihate Tërmkollit dhe Flora Brovinës, ashtu edhe në diskutimet e Gjylnaze Sylës, Shpresa Muratit e Teuta Sahatçisë u tha se thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, e në këtë kuadër edhe të deputeteve nga dy vendet, ka një rëndësi të veçantë. Ndërkaq, shembulli i personalitetit të Jozefina Topallit, shihej si një inkurajim për angazhime edhe më të mëdha të femrave deputeteve, po edhe të femrave të tjera kudo që jetojnë e punojnë.

Në këtë takim u shpreh mirënjohje për kontributin e madh që po jep Shqipëria për sensibilizimin e opinionit evropian e botëror drejt zgjidhjes së statusit final të Kosovës, realizimit të synimit shekullor për pavarësinë e Kosovës.

Pasi i përgëzoi deputetet e Kosovës në rrugën e avancimit të pozitës së tyre , si dhe në angazhimet në të gjitha proceset që zhvillohen në Kosovë, kryeparlamentarja e Shqipërisë foli për rrjedhat aktuale politike në Shqipëri, duke theksuar se kundruall sfidave që dalin para Shqipërisë, në dëshirat për integrime sa më të shpejta në organizmat e Unionit Evropian, Parlamenti i Shqipërisë është shndërruar në një arenë të jashtëzakonshme, për të realizuar këto synime. Mirëpo, për të arritur këtë, Shqipërisë i duhet të zhvillojë një luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vazhdë të kësaj beteje dhe të reformës që po bëhet në Shqipëri, tashmë vijnë edhe mesazhe shpresëdhënëse nga Brukseli.

Në të gjitha këto përpjekje, në të gjitha kontaktet me bashkësinë ndërkombëtare, në krye të listës është çështja e zgjidhjes së statusit final në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës. Në këtë frymë viti 2006 do të jetë vit historik për Kosovën, theksoi Jozefina Topalli.

Në shenjë kujtimi kryeparlamentares Jozefina Topalli iu dhuruan edhe disa dhurata modeste

Deputetet e Kuvendit të Kosovës u takuan me kryeparlamentaren e Shqipërisë, zonjën Jozefina Topalli