Lajmet e fundit
Komisioni Parlamentar për Gatishmëri dhe Emergjencë takohet me shefin e Shtyllës së Parë të UNMIKU-t , z. Zhan Dysur
, 16.12.2005
Komisioni për Gatishmëri dhe Emergjencë i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naim Maloku, kryetar i Komisionit, kishte sot një takim me shefin e Shtyllës së Parë të UNMIKU-t , z. Zhan Dysur me bashkëpunëtorë, në të cilin merrnin pjesë edhe kryetari i Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, Hydajet Hyseni, me disa anëtarë të këtij Komisioni . Temë qendrore e takimit ishte informata rreth procesit të bartjes së kompetencave në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë, përkatësisht përgatitjet për formimin Ministrisë së Punëve të Brendshme , Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Z. Zhan Dysur i njoftoi të pranishmit se në fillim të javës së ardhshme UNMIK-u do të shpallë Rregulloren për formimin Ministrisë së Punëve të Brendshme , Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Shpallja e Rregullores për formimin e dy ministrive po vjen pikërisht në fazën e zhvillimit të procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës . Një hap i këtillë është arritur falë bashkëpunimit të frytshëm dhe marrëveshjes me kryeministrin Kosumi dhe kryeparlamentarin Daci, theksoi Dysur. Në pajtim me këtë Rregullore do të bëhet zgjedhja e ministrave, të cilët zgjidhen sipas procedurës së rregullt e demokratike, pra me propozim të Qeverisë dhe miratim të Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhja e ministrave dhe e stafit të ministrive do të prihet nga një qasje profesionale.
Ngritja e kapaciteteve të sigurisë do të bëhet në pajtim me praktikat e UE-së, për të qenë në funksion të sigurisë së përgjithshme në tërë Kosovën.
Bartja e kompetencave do të mundësojë sigurinë dhe sundimin e së drejtës në Kosovë, si një nga parakushtet më të rëndësishme për punë e jetë të qetë për të gjithë qytetarët, një klimë të volitshme mirëbesimi në një shoqëri multietnike.
Pas formimit të ministrive, tha Dysur, disa përgjegjësi do të mbeten edhe më tutje në kompetencë të PSSP-së, deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare gjithnjë do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në këto segmente, drejt perspektivës së Unionit Evropian. Këtë perspektivë e dëshirojnë edhe qytetarët e Kosovës, u tha me ketë rast.