Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës Amerikane, Philip Goldberg

, 22.12.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, para përfundimit të vitit, ka pritur sot shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, për të biseduar për sukseset e arritura të legjislativit të vendit në këtë vit, për procesin negociator lidhur me statusin e vendit, për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për detyrat që i presin institucionet e Kosovës në vitin që po hyjmë.

Kryeparlamentari Daci dhe zotëri Goldberg kanë shprehur kënaqësi për zhvillimet në Kosovë, siç është hapja e çështjes së statusit dhe për zhvillimet në rajon, si procesi i asoci-stailizimit për Maqedoninë. Është vlerësuar e rëndësishme edhe për Kosovën hapja e rrugës së integrimeve evropiane për fqinjin e saj jugor.

Institucionet e Kosovës do të jenë në raporte partneriteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me popullin amerikan dhe Unionit Evropian, është shprehur Daci, i cili ka theksuar se zgjidhjet e mira për Kosovën dhe rajonin janë emërues i përbashkët i angazhimeve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Ai i ka deklaruar diplomatit amerikan se institucionet e Kosovës janë të përgatitura të hyjmë në proces, ndërkaq sa i përket decentralilizimit është shprehur se ai do të jetë substancial dhe i akceptueshëm nga të gjithë dhe do të bëhet, jo për hir të bashkësisë ndërkombëtare a të Beogradit, por për hir të interesit të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, duke e përgëzuar profesor Dacin për sukseset e Kuvendit të Kosovës dhe bashkëpunimin e mirë me zyrën të cilën e udhëheq, ka shfaqur shpresën se në vitin që po hyjmë, vendimtar për popullin e saj, Kosova do t’i përmbush standardet dhe do të hyjë në rrugën e ardhmërisë. Ai ka apeluar që të gjithë të jenë unikë në këtë rrugë dhe që edhe qytetarët serbë të Kosovës ta japin kontributin e tyre për proceset pozitive dhe të gjithë të përpiqemi për një ambient të qetë e të sigurt.

Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës Amerikane, Philip Goldberg