Lajmet e fundit

Delegacioni i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar u kthye nga vizita në Shqipëri

, 22.12.2005




Delegacioni i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, i kryesuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, në përbërje të të cilit ishin deputetët, Bajram Rexhepi, Alush Gashi dhe Mahir Yagcilar, është kthyer nga një vizitë zyrtare në Shqipëri, gjatë së cilës ka realizuar takime të frytshme me kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme, Preç Zogaj, me kryetarin e Komisionit për Integrime Evropiane, Ilir Meta, si dhe me kryeparlamentaren, Jozefina Topalli, me Ministrin e Jashtëm, Besnik, Mustafaj, me kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Alfred Moisiu.

Pritje në nivel reprezentativ institucional

Pritja për delegacionin e Kuvendit të Kosovës ka qenë në nivel reprezentativ institucional, i ka deklaruar Zyrës për marrëdhënie me media të Kuvendit deputeti Sabri Hamiti, në të kthyer nga Tirana.

Konsensus i institucioneve të shtetit shqiptar për pavarësinë e Kosovës

Në të gjitha takimet që kemi realizuar kemi pasur diskutime përmbajtësore për proceset e komunikimit dhe të integrimeve ndërshqiptare, si dhe të integrimeve të vendeve tona në Evropë, ka pohuar Hamiti, i cili ka shfaqur kënaqësi të veçantë për konsensusin e institucioneve të shtetit shqiptar për pavarësinë e Kosovës.

Rol aktiv në proces

Ai është shprehur i bindur, ndërkaq, se këto institucionet po marrin rol aktiv në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës.

Vizita ishte bërë me ftesë të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Shqipërisë.

Delegacioni i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar u kthye nga vizita në Shqipëri