Lajmet e fundit

Daci organizoi pritje të fundvitit për gazetarë

, 23.12.2005




Në pritjen që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka mbajtur me gazetarët e akredituar në Kuvendin e Kosovës dhe kryeredaktorët e mediave në Kosovë, ka folur për punën e legjislativit të vendit në këtë vit dhe për sfidat që i presin institucionet e vendit në vitin 2006.

Vit i arritjeve të mëdha

Vitin 2005 Daci e ka quajtur vit të arritjeve të mëdha të qytetarëve të Kosovës, fillim të materializimit të sakrificave të shumë gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E arritura më madhe ishte hapja e rrugës ndërkombëtare për njohjen pa kusht të pavarësisë së Kosovës, ka thënë Daci, i cili Kuvendit të Kosovës ia atribuon meritën më të madhe për këtë, duke theksuar se nëpërmjet zërit të deputetëve është shprehur vullneti i popullit.

181 takime me personalitete ndërkombëtare

Kryetari i Kuvendit ka pasur 181 takime me personalitete ndërkombëtare, në të cilat është përpjekur që në mënyrë të dinjitetshme ta prezantojë vullnetin e deleguar të popullit të Kosovës, ka thënë Daci. Brenda kësaj kohe ka pasur edhe 20 intervista të gjata për mediumet vendëse dhe ndërkombëtare.

Fillimi i vështirë i mandatit

Daci ka thënë se fillimi i këtij mandati ishte shumë i vështirë, duke theksuar se kjo vinte nga projektuesit e të ligave për Kosovën, për të provokuar vëllavrasjen. Daci ka përkujtuar shkuarjen në Hagë të ish kryeministrit Haradinaj, të cilin e ka vlerësuar shumë të suksesshëm në njëqind ditët e para të qeverisjes së tij. Ai e ka quajtur mbarësi për Kosovën kthimin në familje të zotit Haradinaj dhe lirimin si të pafajshëm të kryetarit të Grupit parlamentar të PDK-së, Fatmir Limajt, që e kanë rritur unitetin veprues të forcave politike në Kosovë.

Kuvendi i ka kontribuuar qetësisë dhe unitetit veprues

Kuvendi, me qëndrimet e tij, i ka kontribuuar qetësisë dhe bindjes së ndërkombëtarëve për luftën e drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës, si dhe unitetit veprues subjekteve politike dhe gjumit të rehatshëm të qytetarëve të Kosovës, ka thënë ai.

Raporte mirëbesimi me ndërkombëtarët

Kuvendi, ka pohuar Daci, ka krijuar raporte mirëbesimi me PSSP-në, zotëri Petersen dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Grupin e Kontaktit dhe ka shtuar se kemi krijuar edhe një sens të mirë të dëgjimit të vërejtjeve për punën tonë.

Miratimin  i Buxhetit të Kosovës për vitin 2006

Ndër të arriturat Daci ka përmendur edhe miratimin para përfundimit të vitit kalendarik të Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës për vitin 2006, i cili është krijuar tërësisht nga institucionet e Kosovës dhe hap rrugë për bashkëpunim me mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

Bashkëpunimi me Shqipërinë

Bashkëpunimi me Shqipërinë ka shënuar shkallën më të lartë, kurse deklarimet e krerëve shtetërorë: presidentit Moisiu, kryeministrit Berisha dhe kryeparlamentares Topalli, na japin impute të reja që të qëndrojmë në rrugën tonë, ka theksuar kreu u legjislativit të vendit.

Përfundimi i procesit të statusit

Ndër sfidat që na presin vendin më 2006 Daci ka përmendur përfundimin e procesit të statusit të Kosovës. Për ta arritur këtë, Kosovës i duhet qetësi vepruese; popullit të Kosovës dhe institucioneve u duhet liri e plotë dhe qetësi, në mënyrë që të bindet faktori ndërkombëtar për domosdoshmërinë e pavarësisë së Kosovës ka thënë Daci, i cili vitin që po hyjmë e ka quajtur vit i tregimit të kapacitetit real të Kosovës; vit i kalimit në normalitet.

Seanca plenare në çdo dy javë

Do të kemi plane tremujore të punës, seanca plenare në çdo dy javë, me kohëzgjatje sipas nevojës dhe më shumë debate për të cilat janë të interesuar qytetarët e Kosovës, ku kërkojmë të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Qeverisë, është zotuar kreu i legjislativit të vendit.

Gjatë koktejit të organizuar me këtë rast, kryeparlamentari Daci, ka bashkëbiseduar me gazetarë për aspekte të ndryshme të punës së Kuvendit të Kosovës dhe u është përgjigjur pyetjeve të tyre.

Daci organizoi pritje të fundvitit për gazetarë